Arrestohen 5 persona, penguan zgjedhjet në Shkodër
Pengimi i procesit zgjedhor në komunën e Shalës në Shkodër ka sjellë vënien në pranga të 5 personave që akuzohen për “Pengim të subjektit për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Nga mbi 20 të shoqëruarit e pasdites të së dielës, të pranishëm në Shalë ku do zhvilloheshin votime për kreun e komunës, 5 prej tyre janë arrestuar nga policia. Petrit Ndue Coli, vjeç 39, banues fshatin Grude e Re, komuna Rrethina Shkodër, Pëllumb Fran Mollzati, vjeç 38 banues në fshatin Ndreaj, Komuna Shosh, Prek Ndue Kodra vjeç 35, banues në fshatin Gruemirë komuna Gruemirë Malësi e Madhe, Kol Mark Gjergji vjeç 29, banues në fshatin Pog, komuna Pult, Mirash Zef Rrethatori vjeç 33, banues në fshatin Gimaj, komuna Shalë, janë identifikuar nga policia si personat që me dhunë kanë penguar procesin zgjedhor në komunën e Shalës të dielën. Sipas policisë, të dielën, në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, në vendin e quajtur Breg Lumi, të Komunës Shalë, pikërisht sapo janë zbritur këto materialet zgjedhore, grupe të ndryshme personash, (ku mes tyre janë identifikuar dhe 5 shtetasit e arrestuar), janë vërsulur në drejtim të komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e komisionerëve dhe të rrugë-kalimeve për te qendra e votimit, pasi nuk ishin dakord me komisionerët e caktuar për zgjedhjet vendore në komunën Shalë, Shkodër. Si pasojë e kësaj situate, u krijua një konflikt midis dy grupe personash simpatizantë të dy subjekteve politike të “Aleancës për të Ardhmen” dhe “Aleancës për Qytetarin”, duke bërë të mundur pengimin me dhunë të subjekteve elektorale, për zhvillimin e rregullt të aktivitetit zgjedhor.
Dy ditë më parë, në Komunën Shalës, ishin programuar që të mbaheshin zgjedhjet e ripërsëritura për kryetar të komunës. Por kjo nuk është bërë e mundur, për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën lidhur me emërimet e komisionerëve. Kjo pasi komisionerët përfaqësues të Aleancës për të Ardhmen nuk kanë qenë banorë të kësaj komune, por të fshatrave të tjerë të zonës së Dukagjinit, ndërsa komisionerët përfaqësues të Aleancës për Qytetarin kanë qenë punonjës të komunës, çka bie ndesh me përcaktimet ligjore. Situatës është tentuar t’i jepet zgjidhje nga KQZ me zëvendësimin e anëtarëve të komisioneve të 5 qendrave të votimit në këtë komunë. Menjëherë pas kësaj KQZ, ka ndërhyrë dhe ka dërguar bazën materiale me anë të helikopterëve të ushtrisë por megjithatë situata nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare dhe votimi nuk mundur të hapet para limitit kohorë që përcakton ligji.