E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Presidenti i ardhshëm do të zgjidhet nga PD-ja

TIRANË- Për mazhorancën, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është vetëm një mbështetës i opozitës, andaj vitin tjetër i takon asaj që të zgjedhë Presidentin, paçka se Bamir Topi në fakt vinte nga funksionet e larta të PD-së. Një prej deputetëve demokratë, anëtari i kryesisë, Fatos Beja, deklaroi dje se Presidenti i ardhshëm duhet të përcaktohet nga mazhoranca. Duke folur për bojkotin e opozitës në Kuvend, Beja tha gjithashtu se PS-ja do ta kishte shfrytëzuar më së miri pjesëmarrjen e saj në zgjedhjen e disa kandidaturave për në Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese. “Kjo pozitë, po të ishte më racionale në shfrytëzimin e numrave që ka në parlament, nga përvoja që kam, jam i sigurt që do të kishin mundësi të ndikonin në kandidaturat e deritanishme. Kanë ende mundësi ta bëjnë në të ardhmen. Nuk kam parasysh presidentin, flas në përgjithësi për kandidaturat. Ndërsa presidenti përcaktohet nga maxhoranca me Kushtetutën që kemi sot në fuqi”, - tha Beja. Kundrejt pretendimit të opozitës për një president konsensual, edhe ndërkombëtarët kanë filluar të trumbetojnë domosdoshmërinë e zgjedhjes së një presidenti të ri me pëlqimin e të dy palëve. Pak ditë më parë, Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës, Henk Van Den Dool, u shpreh se në sesionin e ardhshëm parlamentar pret që të ketë konsensus jo vetëm për votimin e ligjeve, por edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. Sipas dokumentit themeltar të shtetit, për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President, kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ndërkohë deputeti demokrat, Fatos Beja, shtoi dje se kontributi i opozitës tanimë mund të shërbejë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe ngritjen e Gjykatës Administrative. “Zgjedhja e avokatit dhe krijimi i Gjykatës Administrative dhe në të gjitha fushat e tjera është i domosdoshëm bashkëpunimi për të pasur rezultate të shpejta, të dukshme, të vlerësueshme nga komuniteti ndërkombëtar”, - theksoi ai. Beja foli gjithashtu edhe për përbërjen e re të kryesisë ku ai është gjithashtu anëtar i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. “Aty ka njerëz që janë që nga themelimi, ka njerëz që kanë pasur një kontribut të veçantë me ’97-ën e mbrapa, në momentin më të keq të PD-së, ka njerëz që janë angazhuar te PD-ja në 2005-ën e prapa. Në çdo zgjedhje ka dhjetëra, mijëra të rinj që futen. Janë 50 mijë të rinj që marrin të drejtën e votës çdo vit, sepse kështu vjen brezi dhe patjetër që ata duan të shohin të përfaqësohen nga breza të rinj”, -u shpreh Beja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›