E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në 9 komuna, rezultati 5 me 4 për të djathtët

Koalicioni qeverisës “Aleanca për Qytetarin” fiton dhe zgjedhjet e pjesshme, të zhvilluara dje në nëntë komuna të vendit. Në nëntë prej këtyre njësive, ku dhe ka dalë rezultati, koalicioni i djathtë ka mundur të marrë kryetarin e katër komunave, ndërsa në një komunë tjetër ka marrë këshillin. Nga ana tjetër, kandidatët e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” kanë mundur të shpallen fitues në 4 komuna, Ndërkohë, siç dihet tashmë, në komunën e Shalës në Shkodër ku duhet të zhvilloheshin zgjedhjet, ashtu si në nëntë komunat e tjera, nuk u zhvillua procesi i votimit për shkak të problematikës që lindi me emërimet e komisionerëve dhe marrjen e bazës materiale.

Numërimi

Ditën e diel u zhvilluan votimet e pjesshme në nëntë nga dhjetë komunat, ku KQZ kishte shpallur ripërsëritjen e zgjedhjeve. Më konkretisht, në njësitë zgjedhore Shllak, Pishaj, Mollas, ku në 8 Maj nuk u zhvilluan fare votime, për shkak të problematikave që erdhën për shkaqe teknike. Ndërkohë që zgjedhje u zhvilluan edhe në komunat Zall Dardhë, Papër, Armen, Kolsh, Finiq dhe Qendër Skrapar. Pas përfundimit të procesit të votimit, baza zgjedhore u transportua në qendrat e KZAZ-ve, ku në orët e vona të së dielës nisi dhe procesi i numërimit. Për shkak të numrit të vogël të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve, numërimi i votave u krye brenda disa orëve dhe dje në mëngjes të gjitha KZAZ-të respektive kishin përfunduar procesin e numërimit dhe përpilimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve. Vetëm në komunën Finiq, për shkak të rezultatit të ngushtë mes dy kandidatëve minoritar, KZAZ kishte preferuar që të bëj dhe një herë shqyrtimin e të dhënave dhe më pas të hartonte tabelën përmbledhëse. Për rrjedhojë, në këtë komunë fituesi zyrtar u shpall dje në mbrëmje dhe i përket PBDNJ. Kandidati Sokrat Spiro fitoi vetëm me një votë diferencë ndaj kandidatit të MEGA-s.

Rezultatet

KQZ, bazuar në të dhënat e ardhura nga KZAZ-të përkatëse, ka dhënë rezultatet paraprake të procesit të votimit në 9 komuna, nga të cilat 8 për kryetar komune dhe një për këshillin. Nga 8 komunat, ku u konkurrua për kryetar dhe ku pati një rezultat nga KZAZ-të, 4 i ka fituar koalicioni i djathtë dhe 4 koalicioni i majtë. Më konkretisht në komunën Qendër Skrapar, ku pjesëmarrja në votime ishte 53.3 %, fitues u shpall kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Astrit Mustafaraj. Në Zall Dardhë të Dibrës morën pjesë në zgjedhje 50 për qind e votuesve dhe fitues u shpall Niazi Cani i Aleancës për Qytetarin. Në Papër të Elbasanit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 47 % dhe fitues doli kandidati i majtë, Shefqet Bullari. Ndërkohë në komunën tjetër të këtij qarku, në Pishaj, pjesëmarrja në votime ishte 46 % dhe fitues u shpall kandidati i djathtë Estref Çekrezi. Në Kolsh të qarkut të Lezhës, ku u votua për kryetar komune, pjesëmarrja ishte 53.7 % dhe fitues doli kandidati i majtë Ferdinand Ndoj. Komunën Shllak të Shkodrës e fitoi kandidati i Aleancës për Qytetarin Hilë Kodra, ku pjesëmarrja në zgjedhje ishte 50 %. Po ashtu edhe komunën Armen të Vlorës, ku në votime dolën 49.7 për qind e zgjedhësve, e fitoi kandidati i djathtë Kliton Haxhiraj. Ndërkohë që në komunën Mollas të Kolonjës u votua vetëm këshilli dhe fitues doli po ashtu koalicioni i djathtë, i cili ka marrë nëntë këshilltarë nga katër që morën të majtët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›