Arrestohen aktivistët e Vetëvendosjes, shtyhet për në 2 mars seanca për Kurtin
të martën në mëngjes, por nuk dihen arsyet e lëshimit të tij. Konjufca dhe Hyseni janë arrestuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në kohën kur kishin shkuar për të përcjellë procesin gjyqësor kundër liderit të tyre, Albin Kurti. Brahim Sadriu, nga Policia e Kosovës, tha se arrestimi i tyre është bërë në bazë të një urdhër-arresti nga Gjykata Komunale në Prishtinë. Ne kemi marrë urdhëresën për ti arrestuar këta dy persona dhe për ti dërguar në gjykatë. Vetëm kemi ekzekutuar një urdhëresë të gjykatës, që është edhe detyrë e jona, deklaroi Sadriu. Kryetari i Gjykatës Komunale, Nuhi Uka, tha se urdhër-arresti ndaj Konjufcës dhe Hysenit është lëshuar meqë ata nuk i janë përgjigjur ftesës për të konfirmuar akuzën për dëmtimin e automjeteve të EULEX, verën e vitit të kaluar. Arsyeja është se ata nuk i janë përgjigjur ftesës në mënyrë të rregullt, për shkakun e dëmtimit të automjeteve të EULEX, theksoi Uka. Nga ana tjetër, Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se janë arrestuar tre aktivistë të kësaj lëvizjeje: Glauk Konjufca, Zgjim Hyseni dhe Blerim Maqastena. Ai theksoi se veprimet e fundit dëshmojnë për ndjekje sistematike të të gjithë aktivistëve të Vetëvendosjes. Ky arrestim tregon qartazi se EULEX ka vendosur në bashkëpunim me institucionet vendore të sigurisë, siç janë: policia dhe gjykatat. Kanë vendosur të bëjnë një përndjekje sistematike kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Me këtë synojnë atë që ne e kemi paralajmëruar shumë më herët, që EULEX-i ka për qëllim të kriminalizojë çfarëdo rezistence paqësore kundër misioneve dhe kundër sundimit ndërkombëtar mbi Kosovë, u shpreh Ymeri. Ndërkohë që në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, tre aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, janë lënë të lirë.
Shtyhet për në 2 mars, seanca gjyqësore ndaj Kurtit
Seanca gjyqësore kundër Albin Kurtit, liderit të lëvizjes Vetëvendosje, është shtyrë për 2 mars të këtij viti. Këtë e bëri të ditur gjyqtari ndërkombëtar, Ferdinando De Mongoto. Ai tha se seanca u shty, pasi në panelin e gjyqtarëve nuk ishte prezente gjyqtarja vendore, Fëllanza Kadiu, si dhe i akuzuari Albin Kurti. Ndërsa, zëdhënësja e EUELX, Kristina Herodes, lidhur me këtë çështje, u shpreh se seanca për rastin Kurti është shtyrë për në 2 mars, sepse njëra nga panelistët e trupit gjykues është ende e sëmurë dhe se i akuzuari nuk ka qenë i pranishëm. Nga ana tjetër, avokati i përzgjedhur nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për rastin Kurti, Ramiz Krasniqi, ripërsëriti për të tretën herë se nuk dëshiron të jetë avokat mbrojtës i Albin Kurtit. Pavarësisht konsekuencave që mund ti kem, më 2 mars nuk do të paraqitem në gjykatë. Të gjitha konsekuencat e mundshme ligjore unë i bart. Pasojat ligjore janë të pakufishme, mund të dënohem me të holla, mund të iniciohet procedurë disiplinore, por mund të merret edhe licenca e avokaturës. Sigurisht që do të ketë procedurë disiplinore, por ajo mua nuk me frikëson dhe është hera e fundit që unë paraqitem në këtë rast. Gjyqtari më tha se nuk pranohet dorëheqja juaj, deklaroi Krasniqi. EULEX ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e ka cilësuar procesin gjyqësor kundër tij të motivuar politikisht.