Pranga 24-vjeçarit që plagosi mjekun
Arrestohet autori që plagosi mjekun për parkimin e mjetit. Burimet policore bënë të ditur se në pranga ka përfunduar Alfred Vuksan Qokaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 16 klasë, sepse në orën 12:30, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasin Gentian Ferit Tafa, 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur te rruga "5 Maji" dhe mjeku është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Sipas të dhënave të marra nga policia, mjeku i plagosur është stazhier pranë qendrës spitalore "Nënë Tereza". Burimet policore shpjeguan se fillimisht për këtë ngjarje janë njoftuar shërbimet e Komisariatit nr. 3, por edhe ato nr. 4, të cilat janë vënë në dijeni për plagosjen. Me t‘u njoftuar, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë nga të dy komisariatet, por më vonë kanë mbërritur edhe specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës. Aty është formuar një grup hetimor dhe shumë shpejt është bërë identifikimi i të plagosurit, që është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Më pas është bërë edhe shoqërimi i të dyshuarit për ngjarjen. Grupi hetimor ka mundur të zbardhë plotësisht ngjarjen që sipas të dhënave ka ardhur si pasojë e një konflikti të momentit mes autorit dhe të plagosurit për parkimin e makinës.