KQZ-ja merr gjeneratorë të lëvizshëm për 28 qershorin
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të furnizojë pa ndërprerje me energji gjatë ditës së zgjedhjeve. Marrëveshja e nënshkruar midis OSSH-së dhe KQZ-së parashikon që në rast të situatave emergjente gjatë zhvillimit të zgjedhjeve më 28 qershor, do të përdoren edhe gjeneratorë të lëvizshëm. Drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi, premtoi furnizim të plotë dhe pa ndërprerje me energji gjatë ditës së zhvillimit të procesit të votimit. Ndërsa kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se marrëveshja e nënshkruar me OSSH-në bëhet për të mbrojtur zgjedhjet në mënyrë që të arrihen standardet që i kërkohen vendit tonë. “Nevoja për energji këtë herë është edhe më e madhe, pasi për herë të parë në Shqipëri do të përdoret edhe sistemi i monitorimit me kamera”, - tha ai. Ristani u shpreh se KQ-ja ka marrë mbështetjen e plotë edhe të faktorit politik. Kreu i KQZ-së u shpreh se kryetarët e partive politike i kanë premtuar që zgjedhjet do të zhvillohen të lira dhe të ndershme.
27 Prill 2009