E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e ish-agjentit të antidrogës

Prangosen brenda 72 orëve pas hetimeve intensive Armand Llakaj dhe Arben Jaçe. Policia, asnjë të dhënë për motivet e vrasjes, por ka edhe të tjerë të dyshuar

Luan Kondi

Elbasan- Policia e Elbasanit ka arritur të kapë dy autorët të dyshuar si vrasës të ish-agjentit të Antidrogës, Roland Rexhepit. Burime nga uniformat blu thanë se kanë vënë në pranga Armand Llakajn, 33 vjeç, nga Elbasani dhe Arben Jaçen, 28 vjeç nga Tirana, ndërsa dyshohet edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë krim. Policia nuk dha asnjë të dhënë për motivet e vrasjes, pasi është ende në procesin e marrjes në pyetje të të ndaluarve.
Operacioni
Një aksion special i Policisë së Elbasanit, zhvilluar rreth orës 10:30 ka çuar në pranga dy persona të dyshuar si autorë të vrasjes së Roland Rexhepit, i njohur si “Doda”, apo dhe ish-truprojë e drejtorëve të Policisë së Elbasanit. Lajmi u konfirmua nga burime operacionale të Policisë së Elbasanit, të cilat thanë se arrestim i dy personave në moshë të re, u bë në periferi të qytetit të Elbasanit. Janë dashur 72 orë hetime intensive për të vënë në pranga dy autorët si pjesëmarrës në krimin ndaj ish policit që njihej edhe si krahu i djathtë i Edmond Kosenit. Burimet policore thanë se priten së afërmi dhe arrestime të tjera.
Ngjarja
Vrasja e Rexhepit ka shkaktuar tronditje në këtë qytet, për shkak se ai njihej gjerësisht. Ngjarja që i mori jetën 42-vjeçarit Roland Rexhepi ndodhi katër ditë më parë kur ai mbeti i vrarë teksa u qëllua nga persona të armatosur në një atentat pranë shtëpisë së tij. Ish-agjenti i Antidrogës Roland Rexhepi, i njohur edhe me nofkën “Doda” u qëllua për vdekje me armë zjarri sapo kishte dalë nga banesa me makinën kur, pak metra më tutje, autorët, persona të maskuar të hipur në një motor, kanë qëlluar në drejtim të tij me armë automatik. Në momentin e vrasjes rruga ka qenë me kalimtarë të shumtë. Autorët janë larguar menjëherë me motor, ndërsa 42 vjeçari është transportuar për në spitalin e qytetit. Policia tha se viktima, ish- agjent i antidrogës nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka vdekur pak minuta pasi kishte mbërritur në spital. Roland Rexhepi kishte 3 vjet që ishte larguar nga radhët e policisë për shkak të reformës. Mes kolegëve të tij ai njihej si një ndër figurat kryesore në radhët e agjentëve të Antidrogës, të cilët kishin marrë pjesë në një sërë operacionesh për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike. Pista e hetimit në të cilën është përqendruar policia e qarkut të Elbasanit është ajo e një hakmarrjeje për shkak të detyrës që ai kishte kryer, ndërsa mësohet se 42-vjeçari pritej të rikthehej sërish në radhët e policisë.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›