Konflikti për linjën e Kamzës, një i vrarë
etleva delia
Një person ka mbetur i vrarë dhe xhaxhai e kushëriri i tij janë plagosur mesditën e djeshme në kryeqytet, pas një konflikti që policia dyshon se është për linjën e fugonave Kamëz-Zogu i Zi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të rrethrrotullimit tek rruga e Durrësit, në afërsi të Doganës. Artan Allushi, 26 vjeç ka mbetur i vdekur, ndërsa është plagosur xhaxhai i tij, Kujtim Allushi, 50 vjeç bashkë me të birin Nertilin, 22 vjeç. Autori kryesor i dyshuar i kësaj ngjarje të rëndë dyshohet të jetë Bashkim Qefalia, 39 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Të paktën sipas burimeve zyrtare të policisë, dy janë pistat që grupi hetimor ka ngritur për zbardhjen e ngjarjes. Paralelisht me konfliktin e linjës urbane, një pistë tjetër dyshohet të jetë një konflikt personal mes Qefalisë dhe Allushit. Dyshohet se Bashkim Qefalia, ngacmonte kushërirën e viktimës, njëkohësisht vajza e të plagosurit Kujtim Allushi.
NGJARJA SIPAS DESHMIVE
Në orën 13:00 dy makina, një fugon dhe një benz, janë parë nga dhjetëra dëshmitarë që kanë ndaluar në mes të rrugës që shkon nga Dogana në drejtim të Kamzës. Tre persona kanë zbritur nga makina tip “Benz” dhe po kaq nga fugoni që bënte linjën e Kamzës. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve, që janë marrë në pyetje nga policia, mësohet se 6 personat që kanë zbritur nga automjetet kanë nisur të shkëmbejnë fyerje dhe kërcënime mes tyre. Më pas ka nisur përleshja me grushte, shqelma dhe shkopa bejzbolli. Sherri sipas dëshmitarëve ka përfunduar me katër të shtëna pistolete, nga ku kanë mbetur të plagosur 3 personat që udhëtonin me veturë. Sipas policisë, Allushi udhëtonte me një mjet tip “Benz” bashkë me xhaxhain dhe kushëririn e tij, ndërsa Qefalia ndodhej në një nga furgonat e linjës së Kamzës. Dëshmitarët kanë treguar se pak sekonda pas të shtënave, ata kanë dëgjuar një xhirim të fortë gomash dhe kanë parë furgonin që është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
HETIMET
Vetëm disa minuta pas ngjarjes së rëndë, policia e Tiranës ka mundur të identifikojë të dyshuarin si autor të ngjarjes. Sipas policisë, ai është 39-vjeçari Bashkim Qefalia, banues në lagjen Babrru të kryeqytetit. Ndërkohë bashkëpunëtorë të tij janë edhe dy persona, emrat e cilëve ende nuk bëhen të ditura nga grupi hetimor. Referuar pistave paraprake që grupi hetimor ngriti për zbardhjen e ngjarjes, mësohet se dyshimet kryesore të policisë janë përqendruar mbi një konflikt mes fisit Allushi dhe Qefalia, për linjën e furgonave të Kamzës. Bëhet e ditur se për këtë shkak mes tyre ka pasur edhe një debat disa ditë më parë, pasi Bashkia e Kamzës ka vendosur që linjën urbane t’ia autorizojë Bashkim Qefalisë. Ndërkohë në garë për ta fituar këtë linjë ka qenë edhe familja Allushi. Gjithashtu burimet thanë se paraprakisht nga ekspertët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, po punohet edhe mbi një konflikt tjetër mes dy familjeve. Dyshohet se autori, Bashkim Qefalia, ngacmonte vajzën e xhaxhait të Artan Allushit, madje edhe për këtë rast ata kanë pasur një konflikt. Policia e kryeqytetit, edhe pse ka identifikuar autorin kryesor të ngjarjes me qëllim arrestimin e tij, ka vënë në dispozicion të informatorëve një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetër. Për të gjithë personat që mund të kenë dijeni për vendndodhjen e autorit të ngjarjes, policia ka vënë në dispozicion numrat, 129 dhe 0694111021, duke siguruar ruajtjen e anonimatit për çdo person që jep informacione.
bilanci i ngjarjes
VIKTIMA
Artan Allushi, 26 vjeç
TE PLAGOSUR
Kujtim Allushi, 50 vjeç
Nertil Allushi, 22 vjeç
AUTOR
Bashkim Qefalia
Morti në shtëpinë e Artan Allushit
Sot Artan Allushi, i cili mbeti i vrarë dje nga dy plumba në zemër, do të përcillet për në banesën e fundit. Vizitën në shtëpinë e tij, pranë qendrës së Zall-Herrit, në periferi të Tiranës, mund ta përshkruajmë vetëm me një fjalë; trishtim. Njerëz të veshur me të zeza dhe gra e burra që qajnë fatin e djalit 26-vjeçar, i cili tashmë nuk jeton më. Në një kohë që trupi i pajetë i Artan Allushit është sjellë nga morgu në shtëpinë ku e presin për ta qarë dhe vajtuar të afërmit e tij, në Spitalin Ushtarak ndodhet xhaxhai i tij, Kujtim Allushi, bashkë me të birin, Nertilin, të cilët janë plagosur në këmbë dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Disa prej të afërmve u është dashur që ta kalojnë ditën mes spitalit dhe shtëpisë në Zall-Herr, për t’u ndenjur pranë të plagosurve, por edhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit Artan Allushit. Në atë shtëpi ku morti është ulur këmbëkryq, askush nuk na e ka ngenë të na thotë ndonjë fjalë për ngjarjen, dhe ne përveçse ngushëllimeve, nuk kemi çfarë t’u themi më shumë.