E Diel, 1 Nëntor 2026

Liri mjekut të akuzuar për neglizhencë ndaj 5-vjeçarit që vdiq nga kafshimi i gjarpri

Mjeku anestezist do të ndiqet në gjendje të lirë nga Prokuroria për “mjekim të pakujdesshëm”

Korçë - Mjeku anestezist i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm të vogëlushit që humbi jetën disa ditë më par pas kafshimit të gjarprit do të lërë qelinë, pasi Gjykata e Korçës dha dje në mesditë për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Pas më shumë se një ore seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, gjykatësja e gatshme, Ariola Kristo, vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Julian Maton. Pritet të jepet masa e arrestit edhe për Juljan Mato, 36 vjeç, infermier ndihmës anestezist, infermierin Olgert Hoxhallari, 24 vjeç si dhe Kostika Karamitros, po infermier.
Vendimi
Mjeku anestezist reanimator do të ndiqet në gjendje të lirë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “mjekim i pakujdesshëm”. Avokati mbrojtës ka thënë për mediat se trupi gjykues kishte vlerësuar si rrethanë lehtësuese faktin se në spital nuk janë ndodhur serume antivipera në momentin kur mbërriti për ndihmë fëmija 5 vjeçar, i kafshuar nga gjarpri. Avokati u shpreh se “ky fakt dhe vetë akuza e ngritur ndaj mjekut nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore për mbajtjen e tij në paraburgim, prandaj Gjykata vendosi një masë të lehtë ndaj tij”.
Ngjarja
Më 18 korrik 2009, 5-vjeçari së bashku me vëllain e disa kushërinj ishin nisur për tu larë drejt rezervuarit të fshatit Leminot të rrethit Korçë. Ai ishte më i vogli i grupit që ecte me nxitin drejt një are të mbjellë me jonxhë për të mbërritur sa më shpejt tek destinacioni mjaft i preferuar, në rezervuarin ku edhe do të laheshin. Vogëlushi, vetëm 5-vjeç po përpiqej t’i ndiqte vëllain dhe kushërinjtë nga pas drejt rezervuarit, kur një gjarpër e zgjodhi atë si prenë e vet dhe iu hodh në kurriz, e madje e kafshoi dy herë. Ulërimat e fëmijës kanë detyruar më të mëdhenjtë të kthehen dhe kanë parë gjarprin të largohej nga vogëlushi. Kaq ka mjaftuar që ata ta marrin dhe ta dërgonin menjëherë pranë familjes dhe këta të fundit drejt spitalit, por jeta e tij është fikur plot 24 orë pas kafshimit të gjarprit. “Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në fshatin Laminot, komuna Pirg e qytetit të Korçës, kur 5-vjeçari V. B., u sulmua nga një gjarpër teksa po kalonte në një arë të mbjellë me jonxhe për të shkuar në rezervuarin e fshatit”, -thanë zyrtarë të policisë lokale. Sipas tyre, tronditja e vogëlushit, i cili kishte ndjerë lëvizjet e gjarprit në trup dhe dhimbjet e pickimit e kanë hedhur atë në arë duke vënë alarmin. Të vegjlit lajmëruan menjëherë familjarët të cilët transportuan me urgjencë 5-vjeçarin drejt spitalit të Korçës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Korçës, gjendja e vogëlushit po përkeqësohej, duke detyruar ata ta nisnin drejt spitalit të Tiranës. Ditën e diel, djali u nis drejt spitalit të kryeqytetit, por ndërroi jetë gjatë rrugës. Pas asaj që ndodhi familjarët e 5-vjeçarit akuzuan mjekët për neglizhencë, ndërsa bluzat e bardha thanë se helmi i zvarranikut ishte përhapur me shpejtësi në gjak duke i shkaktuar vdekjen djalit të vogël. Trupi i pa jetë i vogëlushit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminimet e mëtejshme. Gjatë ekzaminime, mjekët konstatuan kafshime të gjarprit në pjesën e kurrizit dhe në njërën këmbë të 5-vjeçarit. Pas kësaj, Policia e Korçës arrestoi 1 mjek dhe 3 infermierë nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›