E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, brenda javës konfirmimi dhe për 16 rastet e dyshuara

 

Të paktën 16 persona të tjerë mund të jenë prekur nga gripi i derrave në vendin tonë. Këtë pohojnë burime nga Instituti i Shëndetit Publik. Pas dyshimeve të ngritura nga specialistët, monstrat janë dërguar në Rumani. Do të jenë laboratorët e Bukureshtit ato që do të konfirmojnë nëse bëhet fjalë për virusin A-H1N1 apo jo. Mes tyre janë edhe kampionët e tre personave që kanë dalë pozitiv për virusin A. Prezenca e sëmundjes për ta është thuajse e sigurt, ndaj mund të themi se aktualisht në vendin tonë kemi të zyrtarizuar 7 persona me grip derrash. Sakaq me gjithë masat që janë shtuar në pikat kufitare, ne jemi ndër të paktat vende që na mungon pajisja e posaçme që identifikon personat me temperaturë. Bëhet fjalë për një monitor të instaluar në pjesën më të madhe të aeroporteve dhe pikave doganore të botës. Me anë të tij, mjekët e kanë tepër të lehtë të ekzaminojnë personat që dyshohen për grip derrash. Te ne gjithçka është lënë në duart e vetë qytetarëve, të cilët pyeten nga specialistët nëse kanë simptoma të ngjashme me gripin apo jo. Por ajo që po shqetëson më shumë specialistët është se edhe pse ishim ndër vendet që konfirmuam me vonesë prezencën e A-H1N1, duket qartë që virusi qarkullon në pjesën më të madhe të territorit. ”Këtë e dëshmon fakti se një pjesë e mirë e personave të dyshuar nuk kanë pasur lidhje me epidemiologjinë normale të virusit. Edhe rasti i parë që ne kapëm ishte një person që nuk kishte dalë jashtë vendit këto kohë, pra nuk e kishte importuar virusin”, shprehen specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, është mjaft e rëndësishme që të bëhet kujdes sidomos me fëmijët e vegjël, të cilët jo vetëm e kanë më të dobët imunitetin, por në këtë periudhë preken më shpesh nga virozat. ”Mjekët pediatër duhet të ekzaminojnë dhe identifikojnë nëse bëhet fjalë për viroza stinore apo dyshohet për grip derrash. Në kushtet kur në pediatri kemi fluks fëmijësh, vigjilenca duhet të jetë akoma më e madhe”, nënvizojnë specialistët. Sipas tyre, virusi i gripit A-H1N1 transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose edhe thjesht dhënies së dorës një personi të infektuar. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit futen në gojë, grykë dhe hundë, ku shtohen dhe japin shenjat, 1 deri 4 ditë pas futjes së virusit në organizëm. Një person i infektuar konsiderohet përhapës i virusit të gripit për sa kohë, ai ka shenja të gripit deri në 7 ditë pas shfaqjes së sëmundjes. Fëmijët, veçanërisht ata më të vegjlit, mund të jenë përhapës të virusit të gripit për një kohë edhe më të gjatë. Drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë apel që të bëhet kujdes sidomos me tamiflunë(antiviralin që lufton gripin). Ky medikament duhet të jepet vetëm me recetën e mjekëve.

Si të mbrohemi

    Mënjanoni kontaktet me njerëz të sëmurë     Lani mirë e duart me sapun, për 20 sekonda     Hani shëndetshëm     Kryeni aktivitet fizik     Bëni gjumë të mjaftueshëm     Bëni kujdes nga ambientet publike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›