E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipoteka, procedura për regjistrimin e kufijve

Sa zgjat procedura për ndryshimet në hartën ku është pasqyruar pasuria e paluajtshme

Laureta Rryçi

Tiranë - Për të regjistruar kufijtë e pronës së paluajtshme në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ndiqet një procedurë që zakonisht zgjat rreth 30 ditë. Fillimisht qytetari që është i interesuar për një shërbim të tillë depoziton një kërkesë zyrtare në zyrën në të cilën është juridiksioni i pronës së tij. Më këtë kërkesë jepen të dhëna të sakta mbi kufijtë, pasurinë e paluajtshme dhe rregullimet që pretendohet të bëhen në hartën treguese. Gazeta “Albania” zbardh më poshtë procedurën e plotë që ndiqet në të tilla raste në të gjitha Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Harta
Regjistruesi është përgjegjës për përgatitjen dhe mirëmbajtjen e një harte ose seri hartash, të cilat quhen harta treguese të regjistrimit për zonën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që mbulon kjo zyrë regjistrimi. Harta treguese e regjistrimit tregon kufijtë dhe pozicionin gjeografik të pasurive të paluajtshme si dhe tregues të tjerë. Pasuritë e paluajtshme kanë një numër të vetëm identifikimi, i cili do të përdoret si për të identifikuar pasurinë e paluajtshme në kartelat e regjistrimit ashtu edhe për të identifikuar pasurinë e paluajtshme në hartat treguese të regjistrimit. Për të zgjeruar informacionin e dhënë nga harta treguese e regjistrimit, mund të dokumentohet një plan rilevimi i një pasurie të paluajtshme të caktuar. Në këtë rast, dokumentimi i planit të rilevimit duhet të shënohet në kartelë.
Korrigjimi dhe shtesat e reja
Regjistruesi mund të kërkojë që të bëhet një studim/rilevim për çdo pasuri të paluajtshme dhe pasi të ketë njoftuar personat e interesuar, mund të korrigjojë hartën treguese të regjistrimit si rezultat i studimit/rilevimit të sipërpërmendur. Ai mund të korrigjojë çdo gabim teknik në hartën treguese nëse nuk cenohen interesat e ndonjë personi. Në çdo kohë regjistruesi mund të udhëzojë përgatitjen e një harte të re treguese të regjistrimit ose të një pjese të saj dhe në hartë mund të mos shënohet ndonjë hollësi që regjistruesi e konsideron të vjetruar.
Kufijtë
Harta treguese e regjistrimit tregon kufijtë, sipërfaqen dhe pozicionin e përafërt të pasurisë së paluajtshme. Kur pjesëtarët në një mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e një apo disa kufijve arrijnë ta zgjidhin mosmarrëveshjen regjistruesi bën korrigjimet në hartën treguese dhe në kartelat e duhura në përputhje me marrëveshjen e arritur, dhe arshivon marrëveshjen e firmosur nga palët pjesëmarrëse në konflikt. Kur lind ndonjë paqartësi ose mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e ndonjë kufiri dhe pjesëtarët në këtë konflikt nuk arrijnë marrëveshje lidhur me këtë, regjistruesi i udhëzon ato që të paraqesin çështjen në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve dhe bën një shënim në kartelë. Në qoftë se brenda këtij afati çështja nuk është dërguar në gjykatë, atëherë regjistruesi bën shënimin përkatës.

Ruajtja e shenjave të kufirit

Çdo pronar i një pasurie të paluajtshme është i detyruar të mbajë në gjendje të mirë çdo shenjë që ndan kufijtë e tij. Regjistruesi vendos për përcaktimin e vijave ndarëse të qëndrueshme të çdo kufiri brenda një kohe të caktuar dhe sipas mënyrës që mund të udhëzojë ai. Regjistruesi vendos se cili prej pronarëve fqinjë ka përgjegjësinë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e çdo shenje që ndan një kufi të zakonshëm, dhe ai që urdhërohet për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Brenda 30 ditëve pronarët kanë të drejtë të ankohen në organet gjyqësore kundër urdhrit të regjistruesit. Nëse nuk ushtrohet kjo e drejtë brenda këtij afati urdhri prezumohet u pranuar. Çdo person i dënuar për një vepër të dëmtimit të kufijve pavarësisht nga dënimi me gjobë, është i detyruar të paguajë shpenzimet për rregullimin e veçorive të kufirit dhe ky shpenzim të konsiderohet si detyrim civil nga ana e çdo personi përgjegjës për ruajtjen e shenjave të kufirit.

Bashkimet dhe ndarjet

Kur pasuritë e paluajtshme ngjitur janë pronë e të njëjtit pronar dhe i nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit , regjistruesi mund t’i bashkojë ato pasuri të paluajtshme, duke mbyllur kartelat që u takojnë këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë apo disa kartela të reja lidhur me pasurinë apo pasuritë e paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe duke azhurnuar hartën treguese të pasurive. Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm ose të trashëgimtarit të tij, për ndarjen e një pasurie të paluajtshme të tij në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie të paluajtshme, regjistruesi bën ndarjen duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, dhe hap kartela të reja dhe azhurnon hartat treguese për pasuritë e paluajtshme të reja që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjitha hyrjet që ishin në kartelën e mbyllur. Me kërkesë të pronarëve të pasurive të paluajtshme fqinjë, të cilët dëshirojnë të ndryshojnë kufijtë ndërmjet pasurive të paluajtshme të tyre, dhe, me pëlqimin e dhënë me shkrim nga të gjithë personat e tjerë, në emër të të cilëve është regjistruar çdo e drejtë a pronësi mbi këto pasuri të paluajtshme, regjistruesi anulon kartelat e këtyre pasurive të paluajtshme dhe azhurnon kartelat dhe hartën treguese të regjistrimit në përshtatje me konfiguracionin e ndryshuar të pasurive të paluajtshme. Në rast se regjistruesi mendon se një rindarje e propozuar përmban ndryshime rrënjësore të pronësisë mbi pasurinë, të cilat duhen rregulluar nëpërmjet kalimeve të pronësisë regjistruesi refuzon këtë rindarje. Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë që fshin të drejtat reale. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e paluajtshme të tij, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara të përgatitura prej një topografi të licencuar dhe të vërtetuar nga organi përkatës se është në përputhje me ligjet në fuqi.

Procedura për regjistrimin në varësi të shërbimit

Fshirja e hipotekës

Regjistruesi në bazë të kërkesës me shkrim të paraqitur në formën e përcaktuar nga ligji vendos fshirjen e regjistrimit të hipotekës kur janë plotësuar kushtet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet akti që justifikon fshirjen e hipotekës. Veprimet përkatëse nënshkruhen nga regjistruesi.

Regjistrimi i titujve “në përdorim”

Për çdo titull “në përdorim” që është dhënë, për pasuri të paluajtshme pronë e shtetit, do të krijohet një kartelë e veçantë si dhe të pasqyrohet në hartën treguese të pasurive të paluajtshme. Zotëruesi i titullit “në përdorim” shënohet në seksionin përkatës ndërsa në seksionin e pronarëve si pronar i kësaj pasurie të paluajtshme shënohet shteti.

Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme të fituar me parashkrim fitues

Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme të fituar me parashkrim fitues bëhet me paraqitjen para regjistruesit të një kopje të vendimit të gjykatës, të fitimit të pasurisë së paluajtshme me parashkrim fitues. Në përputhje me këtë vendim, regjistruesi regjistron si pronar të pasurisë së paluajtshme personin që e ka fituar atë me parashkrim fitues.

Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës apo të një akti administrativ

Në rastet kur shteti, personi fizik ose juridik ka fituar të drejtën e pronësisë mbi një pasurie të paluajtshme, ka lidhur një kontratë qiraje ose ka vënë hipotekë në bazë të ligjit, vendimit të gjykatës apo të aktit të një organi administrativ, regjistruesi mbështetur në këto akte që personi i interesuar ja paraqet, bën regjistrimin duke shënuar pronar shtetin, personin fizik ose juridik që i ka kaluar e drejta e pronësisë.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›