E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i financuar nga BE-ja, pa uje dhe kamera sigurie



Laureta Rryçi

Tiranë - Burgu i Korçës edhe pse ka vetëm gjashtë muaj që është inauguruar sërish ka shumë të meta. Të dënuarve iu mungon uji, ambienteve iu mungojnë kamerat monitoruese ndërsa ambienti i ajrimit nuk është i përshtatshëm. Kjo janë vetëm disa nga të metat që komisionerët e Avokatit të Popullit kanë konstatuar gjatë inspektimit për kushtet në këtë burg të ri. I financuar nga Komisioni Evropian me një shumë prej 4.8 milionë eurosh ata që janë marrë me zbatimin e projektit duket se nuk i kanë dalë kalkulimet për të gjitha domosdoshmëritë e një burgu të ri me kushte bashkëkohore. Dobjani pas inspektimit dhe evidentimit të të gjitha këtyre të metave, i ka shkruar zyrtarisht jo vetëm ministrit të Drejtësisë, por edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal Korçë ndodhet në anë të rrugës nacionale Korçë-Ersekë pranë fshatit Drenovë. Ky është një ndër institucionet e reja që është hapur gjatë vitit 2008. IEVP Korçë, është një investim i Komisionit Evropian me një vlerë prej 4.8 milionë euro. Rrjeti inxhinierik është bërë me financim të Qeverisë Shqiptare ku u alokua një fond prej 21.284.560 lekë. Institucioni Penal i Korçës në bazë të Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, është kategorizuar burg i sigurisë së lartë, me një seksion të sigurisë së zakonshme, një seksion paraburgimi dhe një seksion paraburgimi për të mitur.
Mangësitë
Raporti i Avokatit të Popullit ka vënë në dijeni zyrtarët e lartë të burgjeve se në organikën e I.E.V.P Korçë u vu re mungesa e stafit me dy karteliste, një mjek neurolog/psikiatër dhe i një psikologu. Një problem i rëndësishëm ishte dhe mungesa e mjekut dhe psikologut të domosdoshëm për gjendjen psikologjike të paraburgosurve dhe të dënuarve me afate të gjata burgimi. Problem mbetej furnizimi me ujë, i cili vinte me orar dhe nuk arrinte të plotësonte nevojat e të dënuarve. Me ardhjen e stinës së nxehtë të verës situata e furnizimit me ujë mund të keqësohej edhe më shumë. Dobjani për zgjidhjen e këtij problemi është shprehur se duhet të ndërtohet sa më shpejt depo e re të ujësjellësit. Terreni i Ajrimit për komisionerët e Avokatit të Popullit ishte i papranueshëm për një burg të vjetër e jo më për një institucion të ri vuajtje dënimi. Konkretisht këto terrene nuk ishin të pajisura me strehe për t’u shfrytëzuar në kohën e nxehtë dhe sipërfaqja e tyre ishte tepër e vogël krahasuar me ajrimet e seksioneve të tjera të burgut. Gjithashtu në terrenet e ajrimit të këtij burgu mungonin çezmat e ujit të cilat janë mjaft të nevojshme në këto ditë të nxehta ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë celsius.
Siguria
“Megjithëse ishte burg i ri, mungonte sistemi i ruajtjes dhe monitorimit të dënuarve dhe paraburgosurve me kamera si dhe i sistemit të komunikimit me radio marrëse-dhënëse për nevoja urgjence dhe sigurie. Avokati i Popullit vëren se një investim i shpejtë për këto pajisje është mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen e sigurisë në burg dhe parandalimit dhe evidentimit të rasteve të dhunës”, thuhet në raportin e Dobjanit. Skandali radhës në këtë burg është shoqërimi i të dënuarve kur kanë probleme shëndetësore. Sipas Dobjanit është jashtë çdo standardi që një i dënuar i sëmurë transportohet me makina rasti për në spital për shkak se mungon një ambulancë.

Burgjet e vjetra me kushte më të mira se ky i Korçës

Burgu i Korçës jo vetëm nuk i ka të gjitha standarde por rezulton të jetë edhe më problematik se shumë burgje në vend që tani në vitin 2009 cilësohen si burgje të vjetra. Sipas Avokatit të Popullit në këtë burg mungonin baza materiale për aktivitete sportive. Ndërsa burgjet e vjetra kanë të gjitha kalceto për të luajtur futboll, në burgun e Korçës nuk kishte as topa për të lozur. Burgjet e vjetra kanë të gjitha ambiente të veçanta për të kryer rite të ndryshme fetare. Ndërsa burgu i Korçës dispononte një ambient të vetëm për shërbime kulti, cili funksiononte i përbashkët për të gjitha besimet.

Rastet e Dhunës

Lidhur me evidentime të rasteve të dhunës, grupi inspektues gjatë vizitës që kreu në ambientet e veçimit dhe izolimit të këtij burgu, mori denoncime nga dy të dënuar për ushtrim dhune. Për këtë qëllim u kryen edhe disa fotografi dhe se shpejti Avokati i Popullit do të dalë me propozimet konkrete për masat që duhen marrë për këto ngjarje.

Rekomandimet e Dobjanit për Burgun e Korçës

1. Mbajtjen në konsideratë dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve të konstatuara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Korçë;

2. Punësimin e një mjeku neuropsikiatër dhe një psikologu dhe plotësimin e mungesës së stafit tjetër sipas organikes së parashikuar.

3. Marrjen e masave të menjëhershme për ndërtimin e depos së re të furnizimit me ujë në mënyrë që të sigurohet sa më parë furnizimi normal i institucionit.

4. Marrjen e masave për krijimin e kushteve të përshtatshme të ajrosjes dhe pajisja sa më parë e këtij ambienti me tenda mbrojtëse dhe çezma në mënyrë që të bëhet e frekuentueshme dhe në stinën e nxehtë të verës.

5. Marrjen e masave për instalimin e kamerave vëzhguese dhe vendosja e sistemit të komunikimit të stafit me radio marrëse-dhënëse për nevoja urgjence dhe sigurie.

6. Pajisjen e këtij Institucioni me mjetet e domosdoshme të transportit si ambulancë dhe mjet transporti shoqërimi .

7. Planifikimin dhe sigurimin e fondeve për plotësimin e bazës materiale edukative-sportive dhe krijimin e kushteve për një zhvillim normal të këtyre aktiviteteve.

8. Marrjen e masave për ndarjen e ambientit të kultit në dy salla ku të sigurohet ushtrimi i besimit Kristian dhe Mysliman në dy ambiente të veçanta.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›