Arrestohen dy të rinj për grabitjen e 4 motorrave
TIRANE-Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e oficerëve të Komisariatit Nr.1 pasi akuzohet për disa vjedhje. Markeljan Hatellari, 19 vjeç dhe Medi Lika, 26 vjeç, janë arrestuar gjatë një aksioni të ndërmarrë nga oficerët e policisë, për goditjen e një grupi që merrej kryesisht me vjedhjen e motorrave. Burime nga policia thanë se në grupin e vjedhjes së motoçikletave bëjnë pjesë, edhe persona të tjerë, të cilët tashmë janë arrestuar dhe shumë shpejt pritet edhe arrestimi i tyre. Të njëjtat burime sqaruan se dy të rinjt e arrestuar, në bashkëpunim me persona të tjerë, akozohen për vjedhjen e katër motorrave. Të paktën deri tani janë dokumentuar këto raste, ku dyshohet se ata janë përfshirë, por nuk përjashtohet mundësia që të rinjtë kanë realizuar edhe vjedhje të tjera, të cilat aktualisht janë pa autorë. Hatellari dhe Lika, bashkë me persona të tjerë, vepronin kryesisht në rrugica të errëta të Tiranës, në zonën e “Ali Demit”, “Bërrylit”, “Shkozë”, por edhe në rrugë shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Ata duke u mbuluar nga të tjerë, ruanin momentin kur pronari i mjetit ndalonte për të kryer ndonjë punë dhe arrinin t’i vidhnin motorrin e më pas të largoheshin nëpër errësirë pa u vënë re. Por sipas policisë ata kanë realizuar vjedhje edhe në garazhe apo në oborre banesash ku kanë qenë të parkuar motorrët. Dy të rinjt, Markeljan Hatellari dhe Medi Lika, janë arrestuar me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim dhe materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa policia po punon për kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me ta.