E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat referuese të ish-policëve,Qeveria i kërkon vendim Burgajt

 

TIRANE – Kryeministri Berisha i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, hartimin e një projektvendimi “Për pagat referuese të njehsuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën”. Kërkesa e Kryeministrit Berisha e cila ka mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë më 6 nëntor 2009 është bërë pas një sërë ankesash nga ish-punonjës të policisë së shtetit të cilët kanë denoncuar vështirësitë e tyre financiare pranë Avokatit të Popullit në Tiranë. Ky institucion i është drejtuar Kryeministrit Berisha, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme me qëllim marrjen e masave përkatëse për trajtimin me pension të parakohshëm për ish-punonjësit e policisë të cilët janë larguar nga puna dhë trajtimi i tyre me pagë kalimtare deri në daljen në pension, është ndërprerë. Në porosinë e Kryeministrit Berisha dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kërkohet hartimi i një projektvendimi të Qeverisë dhe dërgimi i tij për miratim në Këshillin e Ministrave me qëllim zgjidhjen e çështjes. Problematika është zbuluar nga Avokati i Popullit, i cili më parë kishte kërkuar pranë Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme zgjidhjen e kësaj çështje. Shkak janë bërë ankesat nga disa ish-punonjës policie, të cilët janë nxjerre në lirim për shkak të reformës së vitit 2008 në Policinë e Shtetit. Ish-policët janë ankuar se pas daljes në lirim janë trajtuar me pagesë kalimtare deri më 30 qershor 2009. Ky trajtim është bërë në bazë të ligjit nr. 8661, dt. 18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Por pas muajit qershor 2009, ish-policëve u është ndërprerë pagesa kalimtare për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri, nr. 10142, dt. 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të FA, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit te Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj, i cili ka hyrë në fuqi në qershor 2009, ka ulur kohën e trajtimit me pagesë kalimtare, nga tre vjet, në dy vjet duke lënë pa asnjë burim financiar ish-punonjësit e policisë së shtetit të prekur nga reforma. Ata kanë pretenduar në ankesën e tyre se pas ndërprerjes së pagesës kalimtare, derisa plotësonin kushtet, ata kanë plotësuar dhe dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e pensionit të parakohshëm. Pas kësaj, ata janë trajtuar me pagesë për tre muaj, por këtu ka mbetur çështja ndërsa ish-policët kanë pohuar se janë vënë në vështirësi financiare nga ky fakt. Avokati i Popullit kërkoi sqarime tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i cili tha se kjo kategori ish-punonjësish të policisë nuk është trajtuar me pension të parakohshëm, sepse parashikon se duhet të përcaktohet paga referuese. Pas konstatimit të kësaj situatë, Kryeministri Berisha i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të policisë hartimin e një projektvendimi, përcaktimin e pagave referuese të ish-punonjësve të policisë dhe dërgimin e tij në Qeveri për miratim.                            tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›