E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 200 mijë euro kontrabandë

 

Etleva Delia

Arrestohet në Rinas një punonjës i një kompanie ajrore, i cili sipas policisë tentoi kalimin në kufi me 200 mijë euro të padeklaruara. Të arrestuarit i janë gjetur veç 200 mijë eurove, edhe me 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë amerikan. Erjon Bojaxhiu, 26 vjeç është arrestuar rreth dje orës 13:15, vetëm disa minuta para se të mbyllej dera e një avioni që po niste fluturimin drejt Turqisë. Duke qenë se ishte punonjës i kompanisë ajrore, Bojaxhiu mund të mos kalonte në sektorët e kontrollit, por kalonte mënjeherë në pistën e aeroportit e më pas në avion. Pavarësisht se ka përfituar nga ky privilegj që i jepte pozicioni i tij, 26-vjeçari është kapur “mat” vetëm disa momente para nisjes së avionit. Burime nga Policia e Tiranës, thanë se Bojaxhiu është ndaluar, pas të dhënave operative që efektivat e Policisë Kufitare mundën të siguronin për të. Gjatë kontrollit fizik që policia ka ushtruar ndaj tij, janë zbuluar jo pak, por 200 mijë euro të padeklaruar. Menjëherë pas verifikimit të shumës së parave, që sipas rregullores në fuqi nuk lejohen edhe sikur të jenë të deklaruar, pasi shuma minimale e lejuar është 10 mijë euro. Bojaxhiu është shoqëruar në policinë e kryeqytetit për të dhënë deklarime rreth kësaj ngjarje.
DESHMIA NE POLICI
Erjon Bojaxhiu, punonjës i kompanisë ajrore që do të kryente fluturimin dje nga Tirana në Turqi, pas shoqërimit në ambientet e Drejtorisë së Policisë kryeqytetit ka deklaruar se paratë nuk ishin të tij, por të disa tregtarëve që ai i kishte miq. Sipas dëshmisë së tij mësohet se tregtarët, të cilët po shkonin për t’u furnizuar me mall në Turqi, kryesisht veshëmbathje, i kanë kërkuar një nder 26-vjeçarit për t’iu bërë të mundur kalimin e parave. Duke qenë se Bojaxhiu nuk e kishte të detyrueshme kontrollin doganor, duke qenë se ishte punonjës i kompanisë ajrore, ai kalonte pa u kontrolluar dhe hipte menjëherë në avion. Edhe herë të tjera ai nuk kishte pasur asnjë lloj problemi për kontroll në kufi, edhe pse para oficerëve të policisë ka deklaruar se ishte hera e parë që ai tentoi të kalojë një shumë të tillë parash të padeklaruara. Erjon Bojaxhiu, ka pranuar që t’ua kryente favorin e kërkuar miqve të tij dhe ka marrë paratë, shumën prej 200 mijë eurosh, 101 mijë korona Norvegjeze dhe 20 mijë dollarë Amerikan, me të cilat pa kaluar doganën është futur në avionin që për pak minuta do të nisej drejt Turqisë. Por pikërisht në këto moment ai është arrestuar për shmangie nga kontrolli i autoriteteve doganore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›