Pensionistët, në gjyq për shitje droge
Trazhgim Sokolaj
Dy të moshuar, pensionistë nga kryeqyteti, dërgohen në gjyq nga Prokuroria e Tiranës për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe disa akuza të tjera. Fiqirete Kadrija, 62 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Kadri Kadriaj, 67 vjeç, akuzohen se kanë kryer veprat penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “mashtrim” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat thanë se dy të moshuarit akuzohen se kanë shpërndarë drogë në zonën e vilave të Qytetit Studenti. Agjentët e Antidrogës i mbajtën për më se një muaj në vëzhgim dy të moshuarit dhe më pas vendosën kryerjen e një kontrolli në banesën e tyre. Sipas hetimeve, në shtëpinë e çiftit të pleqve u gjetën dhe u sekuestruan 5.5 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila ishte ndarë në 6 porcione të përgatitura për shpërndarje dhe shitje. Arrestimi i dy pleqve u krye nga policia në muajin prill të këtij viti ndërsa agjentët pjesëmarrës në operacion thanë se gjatë kontrollit në banesë, dy të moshuarit tentuan të fshehin disa dokumente identifikimi të falsifikuara. Arrestimi i dy të moshuarve është bërë pasi policia mori një informacion operativ, në bazë të të cilit dy pleqtë nga Kukësi kryenin shpërndarje dhe shitje narkotikësh në zonën pranë Qytetit Studenti. Policia organizoi shërbimet e saj, të cilat monitoruan veprimet e të dyshuarve, konkretisht disa takime të tyre me përdoruesit e drogës gjatë këmbimit të kokainës me paratë. Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarve, policia tha se u gjetën edhe 212 mijë lekë të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shitjes së drogës. Dosja penale është hetuar nga Prokuroria e Tiranës për disa muaj ndërsa pak ditë më parë, veprimet hetimore përfunduan ndërsa dosja është dorëzuar në gjykatë për shqyrtimin e provave të grumbulluara. Gjatë deklarimeve që dhanë në polici, dhe gjatë fazës së hetimit nga Prokuroria, të moshuarit thanë se kokainën e kishin blerë vetë ndërsa e kryenin këtë veprimtari për shkak se paratë e pensionit nuk u mjaftonin për të mbuluar shpenzimet e jetesës.