E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy vëllezërit Kuqja, rrëmbyen, rrahën dhe hodhën në liqen Demir Lalën



BELSH - Rrëmbejnë 31-vjeçarin, e torturojnë, më pas e hedhin në ujërat e njërit prej liqeneve të Belshit. Kjo është historia e Demir Lalës, i cili është rrëmbyer për shkaqe ende të paqarta nga vëllezërit Arben dhe Bukurosh Kuqja. Sipas Policisë së Elbasanit mësohet se dy vëllezërit Kuqja, banorë të fshatit Kajan të Belshit, fillimisht e kanë rrëmbyer të riun dhe më pas e kanë rrahur. Por ata nuk janë mjaftuar me kaq, duke e hedhur dhe në ujërat e liqenit të zonës. Uniformat blu të këtij qyteti bëjnë të ditur se kanë arrestuar ditën e djeshme dy vëllezërit Arben dhe Bukurosh Kuqja, mbi të cilët rëndon akuza për pengmarrjen dhe keqtrajtimin e Demir Lalës. Burime pranë spitalit të këtij qyteti njoftojnë se viktima ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është duke marrë dhe ndihmë mjekësore. Megjithatë, Policia e Elbasanit ende nuk ka bërë të ditura arsyet e pengmarrjes dhe keqtrajtimit të Demir Lalës.

Dy në pranga, tre në kërkim, vodhën 4 dyqane brenda një nate
TEPELENË - Dy persona janë vënë në pranga dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë vjedhur me thyerje, brenda një nate, në qytetin e Tepelenës një sërë dyqanesh dhe supermarketesh. Operacioni i koduar “Shëtitësit” ka vënë në pranga 48-vjeçarin Aranit Buzi dhe 33-vjeçarin Florenc Cipllaka, që të dy lindur dhe banues në Fier. Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se më datën 08.11.2009 kanë vjedhur me thyerje gjatë natës dyqanin e personit me iniciale GJ. G. nga Tepelena, duke i marrë një shumë prej 20 000 lekësh të rinj. Po gjatë asaj nate bëhet me dije se ata kanë vjedhur me thyerje edhe supermarketin e personit me inicialet A. N. nga Tepelena, ku kanë vjedhur rreth 40 karta të ndryshme të kompanive celulare, si dhe një shumë prej 10 000 lekësh të rinj. E njëjta natë do të regjistronte prej tyre edhe vjedhjen me thyerje të supermarketit të personit me inicialet A. Z. nga Tepelena, ku kanë arritur të vjedhin një shumë prej 50 000 lekësh të rinj. Por ata nuk janë mjaftuar me kaq, pasi po atë natë kanë vjedhur dhe dyqanin e F. D., po nga Tepelena, ku kanë vjedhur një shumë prej 8 000 lekësh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 aparate celular, 9 karta SIM, si dhe një automjet tip “Benz” taksi me targë FR 801 A, në pronësi të Aranit Buzit, me të cilin dy personat e arrestuar kanë lëvizur për të realizuar vjedhjet e lartpërmendura. Ndërsa nga ana e policisë po punohet edhe për kapjen e tre personave të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim“.

Krimet e Rënda ankohen për avokatët kryesisht

Gjykata e Krimeve të Rënda ka ankesa për avokatët kryesisht. Drejtuesit e kësaj gjykate, për zgjidhjen e këtyre problemeve, i kanë kërkuar në rrugë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, por dhe Dhomës së Avokatisë që të ndryshojnë mënyrën e përzgjedhjes së këtyre avokatëve. Sipas gjyqtarëve, pavarësish se këta avokatë paguhen nga shteti, shpesh bëhen pjesë e lojërave të të pandehurve për shtyrjen e proceseve. “Nga ana e Dhomës Kombëtare të Avokatisë vazhdimisht ne pajisemi me listën e avokatëve kryesisht, por duhet të bëhet më kujdes përsa i përket përcaktimit të saktë të adresave të tyre, pasi një gjë e tillë krijon problem në
gjykim dhe që pason në zvarritjen e gjykimit”, - thonë burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Lista me avokatët kryesisht dërgohet në çdo fillim viti nëpër gjykata dhe është e detyrueshme që mes emrave të avokatëve gjyqtarët të përzgjedhin sipas kërkesave që kanë. Avokatët kryesish deri para pak muajsh thirreshin për ndonjë masë sigurie apo për ndonjë proces ku i pandehuri nuk kishte mundësi ekonomike të siguronte vetë mbrojtjen ligjore. Ndërsa tani dosjet e bujshme janë kthyer në treg pune për këta avokatë. Fillimisht kjo zgjedhje u bë nga gjyqtarët si alternativa më e mirë për të vijuar proceset që seancat e të cilëve shtyheshin pa fund, mirëpo jo në të gjitha rastet kjo mënyrë rezultoi e suksesshme. Deri dje, këta avokatë rropateshin nëpër dyer gjyqtarësh për t’i caktuar ndonjë masë sigurie. Prej disa muajsh ata jo vetëm që nuk interesohen më për këto masa sigurimi, por tashmë e kanë gjetur zgjidhjen për të pasur më shumë të ardhura financiare në fund të muajit. Disa prej tyre qëndrojnë në sallat ku zhvillohen proceset gjyqësore me shumë të pandehur. Në këtë mënyrë ata kanë më shumë shanse që kolegjet penale t’i përzgjedhin si avokatë kryesisht në dosje. Ata marrin pagesë edhe për një seancë të vetme që pranojnë të marrin përsipër mbrojtjen dhe të njihen me aktet që ka dosje. Zakonisht, pjesa më e madhe një seancë marrin, por ka edhe nga ata që vazhdojnë më tej.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›