E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq pushton Shqipërinë, bllokohen akset rrugore



Thimi Samarxhiu
Reshjet e borës së 24 orëve të fundit kanë vështirësuar ndjeshëm kalimin në disa akse rrugore të vendit, si dhe kanë bllokuar disa komuna të thella në veri dhe verilindje të vendit. Sipas njoftimit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile mësohet se gjendja më e rënduar shfaqet në komunën e Iballës, Arrnit, Trebishtit dhe në disa fshatra të qarkut të Elbasanit. Gjithashtu, Ministria e Transporteve ka bërë të ditur akset rrugore ku është i detyruar përdorimi i zinxhirëve.

Situata
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra e Emergjencave mësohet se në të gjithë vendin, në lartësitë mbi 600 metra, ka pasur reshje dëbore. Reshjet e borës gjatë dy ditëve të fundit në Pukë kanë sjellë kalimin me vështirësi në rrugën Qafë-Mali - Fierzë, pasi në këtë aks trashësia e borës ka arritur deri në 40 cm. Komuna e Iballës është bllokuar përsëri nga reshjet e borës. Drejtoria Rajonale Rrugëve vazhdon hedhjen e kripës dhe skorieve, për të mundësuar kalimin normal të automjeteve në të gjithë akset rrugore. Nga Shkodra për në Dukagjin qarkullohet nga Mali i Shoshit, por me vështirësi dhe me zinxhirë.
Situatë e rënduar shfaqet dhe në qarkun e Kukësit, ku në aksin rrugor Qafë-Mali – Qafë-Shllak, trashësia e borës ka arritur në 40 cm, por në disa lugina edhe më tepër për shkak të grumbullimit të borës nga era. Në këtë aks kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë. Në këtë qark, komuna e Arrnit vazhdon të jetë e bllokuar, ndërsa në drejtim të komunave Grykë Çaj, Bushtricë, Zapod dhe Lekbibaj qarkullohet me vështirësi dhe në segmente të veçanta për shkak të ngricave, me zinxhirë.
Situatë më e qetë shfaqet në qarkun e Dibrës, ku vetëm në rrethin e Bulqizës ka pasur reshje bore, trashësia e së cilës ka arritur nga 15-30 cm. Rruga që lidh Peshkopinë me Lurën vazhdon ende e bllokuar, por lidhja e komunës Lurë realizohet me vështirësi nëpërmjet Kurbneshit. Në të gjithë territorin e qarkut, përveç komunës së Trebishtit, e cila është bllokuar dje në mëngjes, komunat e tjera nuk janë të bllokuara.
E njëjta situatë shfaqet dhe në qarkun e Korçës, ku brenda në qytet trashësia e borës nuk i ka kaluar të 15 cm. I vetmi problem është regjistruar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:40, në rrugën Pogradec – Qafë-Plloçë, ku pak para lartësisë maksimale ka rrëshqitur një masiv dheu nga skarpati i sipërm i rrugës dhe për pasojë u bllokua kalimi i mjeteve për rreth 2 orë. Ndërkohë që aksi rrugor Voskopojë-Lekas përsëri u bllokua nga reshjet e borës. Temperaturat e ulëta kanë sjell dhe ngrirjen e borës, gjë që ka vështirësuar hapjen e kësaj rruge.
Tri fshatra janë të bllokuara nga reshjet e fundit të borës në qarkun e Elbasanit. Bëhet fjalë për fshatrat Polis dhe Vilan të komunës Polis dhe fshati Skënderbej në komunën Rrajcë në rrethin e Librazhdit.
Probleme ka pasur dhe Gjirokastra, ku është regjistruar incidenti mbrëmjen e së premtes nga një rrëshqitje dheu dhe për rreth 1 orë është bllokuar rruga Tepelenë-Gjirokastër, në afërsi me Urën e Subashit.

Box 1
Ministria e Transporteve: Akset e bllokuara

Ministria e Transporteve njofton gjithë drejtuesit e mjeteve në lidhje me situatën e rrugëve si pasojë e reshjeve. Në një njoftim për shtyp, Ministria sqaron se si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës në pjesën veriore, verilindore dhe lindore të vendit, janë shkaktuar herë pas here bllokime të përkohshme të rrugëve. Sipas njoftimit bëhet e ditur se rrugët ku është e nevojshme të mbahen zinxhirë janë: aksi Qafë-Mali - Shllak dhe Qafë-Mali - Fierzë, Kukës - Shishtavec, Rrëshen - Kurbnesh dhe Rrëshen – Qafë-Benjë, Qafë-Kërrabë, Qafa e Llogorasë dhe Qafa e Shtamës. Ndërkohë që janë të bllokuara dhe të pakalueshme, si pasojë e dëborës, akset: Fushë-Arrëz – Iballë, Kukës -Shishtavec qarkullohet më zinxhirë në 5 km e fundit, Ostren i Vogël – Klejn – Stërblevë, Kurbnesh –Lurë dhe Dajt – Qafë-Mollë. Gjithashtu dhe hyrja e autostradës Fier - Lushnjë vazhdon të jetë e bllokuar si pasojë e ujërat te kthesa në Vajkan. Kalimi në këtë aks është i mundur vetëm për mjetet e mëdha, ndërkohë që kalimi për veturat bëhet nga rruga e vjetër.

Box 2
Moti për ditët e ardhshme, temperaturat deri në –20 gradë celsius
Temperatura deri në –20 gradë celsius dhe reshje dëbore në lartësitë mbi 400 metra: kjo është situata që pritet për ditët në vazhdim në të gjithë territorin e vendit. Më 14 shkurt 2010 përsëri do të kemi mot me vranësira dhe reshje shiu të pakta. Në lartësitë mbi 400 metra do të kemi reshje bore. Nuk do të mungojnë edhe kthjellimet e përkohshme. Temperaturat ekstreme pritet të luhaten: minimalja në zonat malore do të arrijnë deri në –20 gradë celsius, ndërsa temperatura maksimale do të regjistrohet në zonën e ulët, deri në 14 gradë celsius. Në datën 15 shkurt në të gjithë territorin e vendit do të kemi mot me vranësira dhe kthjellime të përkohshme. Vranësirat do të shoqërohen me shira të dobët lokalë. Në lartësitë mbi 600 metra reshjet do të jenë në formë dëbore. Temperatura minimale do të arrijë deri në –20 gradë celsius. Në datat 16, 17 dhe 18 shkurt 2010 pritet të mbizotërojë mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu, por edhe me kthjellime të përkohshme. Në lartësitë mbi 600 metra reshjet do të jenë në formë dëbore. Sasia maksimale e reshjeve do të jetë deri në 25 mm. Temperaturat ekstreme do të jenë pa ndryshime të ndjeshme.
Box 3
Pas tre vjetësh, borë në kryeqytet
Gjithmonë bora në Tiranë është një eveniment, pasi të paktat janë rastet kur kryeqyteti i vendit mbulohet nga reshjet e dëborës. Pas kati 3 vjetësh, Tirana është zgjuar mëngjesin e djeshëm nën flokët e dëborës. Për rreth 2 orë bora kanë rënë me një intensitet të lartë, por pa mundur që ta zbardhë Tiranën për shkak të reshjeve të shiut. Hera-herës flokët e borës ishin të përziera me pikat e shiut, gjë që e bënte të pamundur qëndrimin e saj për një kohë të gjatë. Nga të dhënat e deritanishme nuk ka të regjistruar asnjë incident rrugor si pasojë e reshjeve të borës.
Akset që kalohen me zinxhirë

Aksi Qafë-Mali - Shllak dhe Qafë-Mali - Fierzë
Aksi Kukës - Shishtavec
Aksi Rrëshen - Kurbnesh dhe Rrëshen – Qafë-Benjë
Qafë - Kërrabë
Qafa e Llogorasë
Qafë - Shtama

Akset e bllokuara

Fushë-Arrëz - Iballë
Kukës - Shishtavec qarkullohet më zinxhirë në 5 km e fundit
Ostren i Vogël – Klejn - Stërblevë
Kurbnesh - Lurë
Dajt – Qafë-Mollë
Komunat dhe fshatrat e bllokuara

Komunën e Iballës
Komuna e Arrnit
Komuna e Trebishtit
Fshatrat Polis dhe Vilan në komunën Polis
Fshati Skënderbej në komunën Rrajcë

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›