E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi, qeveria miraton çmimet referencë për lëndët e para



Ervin KOÇI

Qeveria ka nisur të “fusë hundët” gjithmonë e më shumë në sektorin e ndërtimit, ku së fundi ajo ka vendosur që të përcaktojë çmime reference edhe për materialet e ndërtimit. Sipas qeverisë të gjitha materialet që do të përdoren nga kompanitë e ndërtimit gjatë punëve të ndryshme duket të jenë të renditura në një tabelë, e cila duhet të kontrollohet nga qeveria. Në këtë tabelë duhet të jenë të afishuara të gjitha çmimet bazë të materialeve të ndërtimit, në bazë të të cilëve duhet të nisë përllogaritja e kostos së ndërtimit. Gjatë hartimit të buxhetit apo përgatitjes së kushteve tekniko-financiare të tenderit, administrata duhet t’i referohet tabelës së re me çmimet referencë të lëndëve të para në ndërtim. Lista e gjatë me produktet dhe shërbimet, hartuar nga Ministria e Transporteve, ka hyrë këto ditë në fuqi dhe shërben për llogaritjen e kostos së përafërt gjatë hartimit të buxhetit apo vlerësimit të një projekti. Tabela në fjalë shikohet me dyshim nga ndërtuesit, pasi përcaktimi i çmimeve nga vetë qeveria kundërshton parimet e lirisë së tregut.

Ndërtuesit
Ndërtuesit janë kundër një vendimi të tillë të qeverisë i cili i cenon deri në detajet më të imta të punës së tyre. Ata thonë se çmimet e materialeve të ndërtimit nuk mund të diktohen asnjëherë pasi një pjesë e tyre janë artikuj të importit dhe për pasojë janë në varësi të tregjeve dhe bursave ndërkombëtare. Por qeveria e justifikon kërkesën e saj me faktin se këto çmime reference do të përdoren vetëm për objektet dhe investimet publike, me qëllim bërjen sa më transparente të kostos së tyre. Udhëzimi prek ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punëve të ndërtimit” dhe “Proceduarat tatimore”, duke miratuar manualin e ri teknik të çmimeve të punimit e të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre të rishikuara sipas tabelave që i bashkëlidhen vendimit që do të përdoren në përcaktimin e fondit limit të objekteve në sektorin e administratës publike.

Çmimet e ndërtimit
Çmimet e zërave të punimeve, të përcaktuara në manualet teknike, janë orientuese dhe referuese për planin e buxhetit vjetor. Kështu, INSTAT-i do t’i dërgojë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të dhënat për çmimet mesatare të tregut të katër elementeve të strukturës të kostos të nevojshme për përditësimin e çmimeve të manualit, të nxjerra në bazë të të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, një kopje të të cilave kjo drejtori e dërgon në ministrinë e sipërpërmendur. Mënyra e miratuar e analizës teknike do të përdoret dhe si bazë për programin kompjuterik të llogaritjes së kostos nga shoqëritë sipërmarrëse. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit do të merret me përditësimin çdo 6 muaj të analizave teknike të çmimeve, duke e publikuar në faqen e saj zyrtare të internetit.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›