E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji antidiskriminim, organizatat në mbrojtje të homoseksualëve falënderojnë Berishën



Organizatat në mbrojtje të personave me orientim seksual falënderojnë kreun e qeverisë shqiptare, zotin Berisha, për miratimin e ligjit kundër diskriminimit, i cili hyn në fuqi në fillim të marsit. Përmes një letre dërguar zotit Berisha dhe disa prej ministrave të kabinetit të tij, Boris O. Dittrich, drejtor Advokatimi në programin e Human Rights Watch për lesbiket, gay-t, biseksualët dhe njerëzit transgender ka përcjellë falënderimet dhe i ka kërkuar mbështetje për ngritjen e institucionit të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut. “Ne dëshirojmë që t’ju përgëzojmë për mbështetjen që Ju keni treguar, duke çuar për miratim paketën ligjore që i mbron njerëzit në Shqipëri nga të gjitha llojet e diskriminimit, duke përfshirë edhe kategoritë me orientim seksual dhe identitetit gjinor”, - thuhet në letrën e shkuar nga zoti Dittrich.

Letra
Sapo ka kaluar në Parlament ligji kundër diskriminimit, vijnë edhe urimet e para për zotin Berisha, i cili ishte një ndër politikanët që mbështeti përgatitjen e draftit të propozuar nga shoqëria civile në vendin tonë. Drejtori i programeve të advokatimit për homoseksualët, lesbiket dhe transgender pranë Human Rights Watch, dërgoi përgëzimet për miratimin në Kuvend më 4 shkurt të ligjit antidiskriminim, i cili pritet të hyjnë në fuqi në mars të vitit 2010. Sipas drejtorit Boris Dittrich, “një vit më parë, situata për lesbiket, homoseksualët, biseksualët dhe njerëzit transgender, përsa i përket mbrojtjes ligjore, ishte e tmerrshme”. “Duke paraqitur këtë projektligj të plotë antidiskriminim nga qeveria juaj, u tregua respekt për problemet e shoqërisë civile shqiptare. Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit, duke e bërë Shqipërinë një shoqëri të hapur ku të gjithë njerëzit mund të jetojnë lirisht, pa frikë dhe të trajtuar në mënyrë të barabartë”, - thotë zoti Dittrich.

Gjendja
Përfaqësuesi i Human Rights Watch thotë se “organizatat e të drejtave të njeriut në Shqipëri kanë shprehur shqetësim në lidhje me nivelin e lartë të homofobisë në shoqërinë shqiptare. Në shkurt të vitit 2009, Human Rights Watch organizoi një tryezë të rrumbullakët në Tiranë me dhjetë organizatat shqiptare të të drejtave të njeriut për identifikimin e diskriminimit aktual mbi bazat e orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Pikërisht në këtë takim iu propozua qeverisë shqiptare përgatitja e një pakete ligjore në mbrojtje të kategorive me orientim seksual dhe përkatësi gjinore. Madje, HRW zhvilloi takime edhe me ministrin e Drejtësisë dhe atë të Brendshëm, me zëvendëskryeministrin, si edhe me disa anëtarë të Parlamentit”.
“Neni V i ligjit ka të bëjë me Komisionerin për Mbrojtjen e Barazisë. Ky institucion i pavarur publik do të jetë një instrument i çmuar për të mbrojtur të drejtat e atyre që ballafaqohen me diskriminimin”, - thuhet në letrën e përfaqësuesit të kësaj organizate, i cili kërkon nga qeveria që të sigurohet një zyrë në mënyrë të menjëhershme dhe të mbështetet financiarisht. Po ashtu, i kërkohet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që të fuqizohet për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit.
Kalimi në Kuvend i draftit kundër diskriminimit shkaktoi debate të ashpra në opinionin publik, komunitetet fetare dhe mediat. Për herë të parë, ideja për hartimin e projektligjit u lajmërua nga zoti Berisha në verën e vitit të kaluar. Tashmë pritet vetëm hyrja në fuqi e këtij ligji, i cili u krijon të drejta të barabarta të gjithë personave me orientim seksual me qytetarët e tjerë, por nuk ligjëron martesat mes personave të të njëjtit seks.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›