E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tirana nuk i ka ndihmuar shqiptarët e Malit të Zi”

29/12/2009  Reagimi i ministri malazez, Dinosha
Kërkohet ndjekja e shembullit të Hungarisë e Kroacisë
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, Ferhat Dinosha, ka akuzuar qeverinë shqiptare për indiferencë ndaj mbështetjes për pakicat shqiptare në Mal të Zi. Sipas tij, do të duhej që Tirana zyrtare t’i ndihmonte materialisht shqiptarët në Mal të Zi, gjë të cilën deri tani nuk e ka bërë. “Deri tani Tirana nuk ka qenë e pranishme në aspektin e mbështetjes materiale për ndonjë projekt të shqiptarëve në Mal të Zi, gjë për të cilën mendoj se kjo nuk është mirë”, - ka deklaruar ministri Dinosha gjatë një prononcimi për gazetën “Vijesti”. Për të konfirmuar akuzat e tij ai kujtoi shembullin e Hungarisë dhe Kroacisë, vende të cilat i ndihmojnë materialisht bashkëkombësit e tyre në vendet e tjera, duke nënvizuar se njësoj duhej të vepronte edhe Shqipëria. “Shumë shtete evropiane i ndihmojnë materialisht pakicat e tyre dhe mendoj se është koha që edhe Shqipëria ta bëjë këtë”, - tha Ferhat Dinosha. Për këtë çështje ministri Meta konfirmoi se vizitat e përfaqësuesve të Shqipërisë në Malin e Zi nuk janë vetëm takimet me përfaqësues shqiptarë, por dhe angazhimi për çështjet që i preokupojnë. “Ata kanë pasur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë, ashtu sikurse u kemi kërkuar që të realizojnë edhe një bashkëpunim më të mirë brenda vetes së tyre, në mënyrë që të paraqesin sa më besueshëm kërkesat e tyre për një integrim më të denjë të tyre sipas standardeve evropiane”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›