Arrestohen grabitësit e çantave
Policia në rajonin e Mitrovicës ka njoftuar se ka parandaluar dy raste të ndara të grabitjes së çantave dhe një vjedhje, të raportuara gjatë fundjavës.
Në rastin e parë, i cili ka ndodhur të shtunën, rreth orës 17:30, një polic jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile, ka parandaluar grabitësit në përpjekjen e tyre për të grabitur një qafore të arrit nga një grua në kalim.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Ulqini” në Mitrovicë, ndërsa zyrtari policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare ka vërejtur dy të dyshuarit në momentin kur kishin grabitur me forcë një qafore të arrit nga fyti i një gruaje derisa e njëjta po ecte rrugës e shoqëruar me fëmijën e saj.
Zyrtari policor ka reaguar menjëherë në këtë rast ndërsa ka arritur që me sukses të vërë nën kontroll njërin nga dy të dyshuarit e këtij rasti. Qaforja e arit e cila i ishte grabitur viktimës, është gjetur në pronësi të personit të arrestuar. Ajo është sekuestruar si pjesë e provave materiale ndërsa me autorizim të prokurorit publik, qaforja e arit, i është kthyer pronares, saktëson policia.
I dyshuari i arrestuar A. Sh. (1993), është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa i dyshuari i dytë, J. G. (1982), është arrestuar disa orë më vonë në Skenderaj.
Ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor ndërsa është iniciuar procedura penale e grabitjes në bashkëveprim.
Kurse në Vushtrri, policia ka reaguar në një rast grabitjeje të raportuar të dielën rreth orës 22:40, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”. Viktima, një femër 39-vjeçare, derisa kishte hyrë në katin e parë të ndërtesës, ishte sulmuar nga një person ndërsa me forcë, i njëjti kishte arritur që t’i marrë një qafore të arit.
Hetuesit policor të stacionit Vushtrri, kanë ndërtuar profilin e kryesit të mundshëm të këtij akti kriminal në bazë të dhënave të siguruara nga viktima. I dyshuari F. Ferizi (1989), banor i Vushtrrisë, i njohur nga policia për vepra të ngjashme të kryera më herët, është identifikuar dhe arrestuar pak qaste më vonë.
Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor ndërsa është iniciuar rasti i grabitjes.
Një rast tjetër i parandalimit të suksesshëm të vjedhjes është regjistruar në stacionin jugu në Mitrovicë, të shtunën rreth orës 22.
Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga radhët e NjSO Mitrovicë, kanë vënë nën kontroll të arrestit policor, dy persona të moshës 17-vjeçare, derisa të njëjtit po tentonin ikjen e tyre me një motoçikletë të vjedhur.
Policia e Kosovës në stacionin veri Mitrovicë, kishte pranuar një informatë nga një qytetar, për vjedhjen e motoçikletës së tij, të parkuar në rrugën “Kolashini” në afërsi të “tre rrokaqiejve”.
Dy të dyshuarit, banorë të fshatit Suhadoll, janë vënë nën kontroll të policisë pas një ndjekje në këmbë, përgjatë ikjes së tyre rrugës “Vëllezërit Dragaj” e deri në parkun e qytetit përkatësisht në lumin Ibër.
Motoçikleta e tipit “Malaguti medison”, ngjyrë hiri metalike me targa “KG”, i është kthyer pronarit të saj, pas regjistrimit të rastit.
Të dyshuarit e arrestuar, të cilët janë regjistruar në stacionin veri në Mitrovicë, nuk kanë mohuar kryerjen e aktit kriminal në bashkëveprim ndërsa me autorizim të prokurorit publik, të njëjtit janë ndaluar në mbajtje policore sipas ligjit për të mitur të Kosovës, deri në përgatitjen e paraqitjes penale për vepër në bashkëveprim të vjedhjes.