Optimizëm pa fund
Deklarata të forta që japin shpresë për rifunksionimin e gjykatave në veri të vendit kanë dhënë udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë në vend.
Intervenimi i Qeverisë për t’i kthyer pikat kufitare 1 dhe 31 nën sovranitetin e vendit kanë trimëruar ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilët paralajmërojnë se shumë shpejt punëtorët e gjykatave do të kthehen në vendin e tyre të punës.
Të premten, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se shumë shpejt atje do të kthehen prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës, në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë. Ky, sipas Kuqit, është njëri ndër objektivat e Qeverisë për forcimin e rendit dhe ligjit në pjesën më problematike të vendit.
Kuçi tha se ky objektiv do të arrihet vetëm me aktivitete të koordinuara me ndërkombëtarët, me qëllim të evitimit të rrezikut për personelin që angazhohet në ndarjen e drejtësisë në atë zonë. “Gjithmonë do të jemi të kujdesshëm për sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të prokurorëve tanë”, është shprehur Kuçi. Të njëjtin optimizëm e ka shfaqur edhe Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ai ka thënë se problemi i dy pikave kufitare ka shkaktuar një angazhim më të madh institucional. “Ne po shpresojmë që së shpejti do të bëhet edhe funksionalizimi i gjykatës në Mitrovicë”, ka thënë Peci. Expressi ka tentuar ta kontaktojë Kuqin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur të shtunën.
Por deklaratat shpresëdhënëse që vijnë nga Prishtina, për ata që drejtojnë gjykatat në Mitrovicë, po i dëgjojnë vetëm nga mediat. Asgjë konkrete, asnjë diskutim deri më tani nuk është bërë me ta. Kështu të paktën thotë kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë. Xhevdet Abazi thotë se deri më tani nuk ka marrë asgjë zyrtare as prej institucioneve të Kosovës, e as nga EULEX-i.
“Tani për tani, asgjë zyrtare nuk kemi”, tha Abazi të shtunën për Express. Ai thotë se askush nuk ka qenë për të biseduar në lidhje me kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Mitrovicë. “Jo, asnjëherë askush nuk ka biseduar rreth kësaj teme”, thotë Abazi. Gjykata e Qarkut në Mitrovicë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është zhvendosur në Vushtrri dhe punon vetëm në raste emergjente. Abazi thotë se gjendja në këtë gjykatë është e rëndë.
“Jemi duke punuar në kushte të rënda. Ne merremi vetëm me raste emergjente, që kanë të bëjnë me paraburgime, sqaron Abazi. Ai tregon se janë bërë një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura, pasi që ato nga Veriu kanë mbetur qysh kanë qenë. Por edhe Abazi shpreson se pas zhvillimeve të fundit, do të ketë ndryshime edhe për institucionet e Veriut në vend.
“A do të realizohen a jo, mbetet të shihet në të ardhmen”, thotë Abazi.
Punëtorët e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë janë dëbuar nga objekti i tyre që nga viti 2008. Pas ardhjes së EULEX-it, janë bërë përpjekje për kthimin e këtyre punëtorëve atje, por deri më tani pa sukses. Aktualisht në Veri janë duke punuar gjykatës dhe prokurorë të EULEX-it, por jo në ndërtesë të gjykatës, por në një objekt tjetër. Nga kjo situatë kanë mbetur pa u zgjidhur rreth tre mijë lëndë që kanë të bëjnë me Veriun, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë merren vetëm me disa raste të caktuara, ndërsa këto të tjerat së bashku me ato të Veriut vetëm palosen në sirtarë të gjykatës.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka thënë se ndërtesa e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, pas renovimit, i plotëson kushtet për kthim të punëtorëve.
Peci ka kërkuar që edhe objekti i gjykatës në Zubin Potok të përdoret për ndarje të drejtësisë, e jo për shërbime shëndetësore, ashtu siç është duke u përdorur tash e pesë muaj me “vendim” të strukturave paralele serbe.