E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikoliç: Serbia të zgjedhë mes BE-së e Kosovës

Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 13:46

Kryetari i Partisë Përparimtare të Serbisë (SNS), Tomislav Nikoliç, ka thënë se është çështje kohe kur zgjedhja BE ose Kosovë do t’i paraqitet Serbisë. Ai ka thënë se për këtë ultimatum eventual të BE-së në formën, “ose Kosova ose Evropa”, duhet të deklarohen qytetarët në referendum.

“Për këtë duhet të vendosin qytetarët e Serbisë. Për ne politikanët do të jetë mirë qoftë apo mos qoftë Kosova në përbërje të Serbisë”, ka thënë Nikoliç, në një intervistë për “Blic”, duke shtuar se për çfarëdo planifikimi të ndryshimit të organizimit territorial apo shtetëror duhet mbështetja e dy të tretave të deputetëve në kuvend, e cila këtë çështje pastaj do të kalonte në referendum.

“Ne politikanët mund të themi: ‘Çka na ndien për BE, Kosova mund të jetë vetëm autonome’. Ai që flet kështu nuk e ka seriozisht të merret me politikë. Gjithashtu, nuk ka asnjë politikan i cili do të heq dorë nga Kosova e të vazhdoj të merret me këtë punë...”!

Ai ka thënë se politika “edhe BE edhe Kosovë” duhet të vazhdohet deri në fund, sepse “për këtë na obligon Kushtetuta e Serbisë”.

Në lidhje me marrëveshjen me KFOR-in, Nikoliç ka thënë se me këtë është “kufizuar malli për qytetarët e Serbisë dhe se nuk është e vërtetë që 3.5 tonë të mallrave komercial do të kalojnë punktin”.

“Më kanë thënë disa njerëz nga veriu i Kosovës se kamionit i cili i kishte dy tonë i kanë lejuar të transportoj vetëm një ton”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia me këtë marrëveshje “ka lëshuar pe ndaj kërkesave të Prishtinës dhe këtë Beogradi e ka paraqitur si marrëveshje të mirë”.

Ai ka kritikuar edhe shefin e delegacionit serb për bisedime, meqë sipas tij në atë vend do të duhej të ishte kryetari i shtetit ose i qeverisë.

“Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinë janë bërë keq dhe është dashur që në fillim të bisedohet për statusin e Kosovës e jo për pullat postare, për telekomunikacionin, vulat doganore, me çka është përforcuar shteti shqiptar kryeqyteti i të cilës është Prishtina”, citohet të ketë thënë Nikoliç.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›