E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen katër persona në Korçë për trafik klandestinësh

Policia rajonale e Korçës arrestoi 4 persona për dhënie ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Greqisë, me qëllim fitimi, si dhe ka shpallur në kërkim një bashkëpunëtorin e tyre, tashmë i identifikuar. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës bënë të ditur se "Ilirjan Bardhushi, 40 vjeç, banues në fshatin Ravonik të Korçës, Gjergji Gavri, 39 vjeç nga fshati Kapshticë i Devollit, Melsi Bylyku, 28 vjeç nga fshati Trestenik ( Devoll) dhe Mustafa Eshi, 45 vjeç me banim në Bilisht, u arrestuan dje në sajë të bashkëpunimit të shërbimeve të komisariatit të Korçës dhe sektorit të Krimit të Organizuar  në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Stafeta””.  Sipas policisë, mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të kalonin ilegalisht për në Greqi 10 persona  nga rrethet Korçë, Kavajë dhe Elbasan kundrejt shpërblimit prej 800-1000 euro për person. Nga hetimet rezulton se bashkëpunëtor i tyre është dhe Mariglen Qylalli, rreth 25 vjeç, nga fshati Vashtëmi i Korçës, i shpallur në kërkim. Policia tha se gjatë aksionit u sekuestruan 3 automjete si dhe telefona celularë, me të cilat ata synonin këtë trafik të emigrantëve klandestinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›