E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafa


Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), z. Avni Mustafa, i cili shoqërohej në takim nga Drejtori Financiar i Këshillit, z. David Scotton. Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen zotit Mustafa, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira shqiptaro-amerikane në të gjitha fushat. Më tej, Kryeministri e njohu zotin Mustafa me rezultatet konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Në këtë kontekst, Kryeministri vuri në dukje progresin e bërë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke u ndalur në luftën e suksesshme kundër korrupsionit, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin e huaj dhe vendas, lehtësimin e të gjitha procedurave për biznesin, vendosjen e taksës elektronike, prokurimet elektronike, regjistrimin on-line të bizneseve përmes “one stop shop”, etj. Kryeministri u shpreh se investimet e huaja janë të mirëpritura në Shqipëri, veçanërisht në shfrytëzimin e potencialeve parësore të vendit, si në energji, turizëm, pasuri minerale, në modernizimin e infrastrukturës etj.Kryeministri Berisha theksoi se puna e qeverisë është fokusuar tashmë në intensifikimin e përpjekjeve dhe reformave për të përshpejtuar plotësimin e të gjitha standardeve që kërkojnë hapat e mëtejshëm të integrimit europian të vendit.


Nga ana e tij, zoti Mustafa u shpreh i impresionuar nga reformat dhe zhvillimet në Shqipëri dhe inkurajoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare në këtë drejtim. Zoti Mustafa theksoi se në vitet e fundit Shqipëria ka njohur ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat. Ai vlerësoi lart vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet e zhvilluara atje me personalitete të larta amerikane, duke e konsideruar këtë vizitë si shprehje të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve. Ai u shpreh se vizita e Kryeministrit në SHBA u pasua nga një jehonë pozitiviteti dhe vlerësimi të lartë për lidershipin shqiptar dhe arritjet e qeverisë shqiptare në reformimin e vendit, si një vlerësim për proceset integruese të Shqipërisë dhe rikonfirmim i mbështetjes së plotë të SHBA në këtë drejtim.Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht atij ekonomik, në të ardhmen, mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›