Ulet numri i papunësisë në Kukës

Rritja e kontrollit ndaj punësimit në të zezë në biznesin e madh kryesisht, po ndikon pozitivisht në situatën e punësimit dhe menaxhimin më efikas të ndihmës ekonomike në zonat rurale. Duke e bërë të ditur këtë përgjegjësi i zyrës rajonale të punës e përkrahjes sociale në qarkun e Kukësit, Dylber Dafku saktëson se, "edhe pse në 2 muajt e parë të këtij viti nuk janë vërejtur hapje të fronteve të reja të punës, numri i të papunëve është në rënie, si rrjedhojë e rritjes së kontrollit në sektorin privat, që ka minimizuar fenomenin e punës në të zezë". Sipas tij, rritja e kontrollit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional bën të mundur njohjen reale të situatës, por edhe shtimin e efektivitetit të fondeve në favor të familjeve që kanë më tepër nevojë për ndihmë. Kështu vetëm nga bashkia e Kukësit brenda një muaji u ul me 120 numri i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike. Për herë të parë, nga ky kontroll, numri i familjeve me ndihmë ekonomike ka rënë gjatë 10 viteve të fundit nën 1600 familje, ç'ka ka ndikuar në rritjen e ndihmës ekonomike nga 56%, në 89% për familjet realisht në nevojë. "Pas një kontrolli efikas nga specialistët e zyrës së ndihmës ekonomike të Bashkisë, u larguan nga kjo skemë menjëherë 120 familje, të cilat rezultuan se e përfitonin këtë ndihmë padrejtësisht",thotë tha nënkryetari i bashkisë, Bilbil Keraj. Si rezultat i rritjes së kontrollit të bashkërenduar mes institucioneve shtetërore, në vitin 2008, numri i të papunëve u ul me rreth 490 persona. Aktualisht janë evidentuar si të papunë 4820 persona, nga 5350 persona që ishin një vit më parë, kryesisht nga minimizimi i punës në të zezë në sektorin privat. Deri tani në qarkun e Kukësit nuk është shënuar ndonjë rast falimentimi nga biznesi privat.
...