Raporti: Nga Vlora për në Itali asnjë gram lëndë narkotike

Kufiri detar me Italinë si dhe të gjitha pikat e tjera të kalimit kufitar në qarkun e Vlorës ofrojnë aktualisht standardet më të larta të sigurisë në të gjithë periudhën e pas viteve '90. Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Vlorës, Drejtues Myzafer Elezi, tha se "në të gjithë vijën kufitare detare dhe tokësore, që administrohet nga kjo drejtori, përmbushen standardet e kërkuara në funksion të integrimit në BE. Përgjatë gjithë vijës kufitare, detare dhe tokësore, respektivisht me Italinë dhe Greqinë, nga Vlora, në Sarandë, standardet e sigurisë janë më të mirat që janë realizuar ndonjëherë në periudhën e pas viteve '90", nënvizoi Elezi. Sipas tij, kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve përbën dhe një nga prioritetet e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit të Qarkut të Vlorës, krahas luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, të qenieve njerëzore, lëndëve narkotike, etj. Pjesë e këtyre prioriteteve janë rezultatet e arritura gjatë periudhës një vjeçare, që përkon me riorganizimin e strukturave të policisë kufitare. Sipas Elezit, në harkun e 12 muajve të fundit, nuk është regjistruar asnjë rast i trafikut të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore në drejtim të Italisë, ndërkohë që janë parandaluar të gjitha tentativat e kalimit ilegal të kufirit nga persona të ndryshëm. “Në bashkëpunim me agjencitë e tjera që operojnë në port, janë përmbushur të gjitha kushtet për të bllokuar tentativat e trafikimit apo të kalimit ilegal të kufirit, nga persona të ndryshëm”, sqaron Drejtues Myzafer Elezi. Ai thotë se aktualisht disponohet e gjithë infrastruktura e nevojshme, e standardeve më të përparuara, për kontrollin e dokumentacionit, lëndëve narkotike dhe atyre eksplozive, gjë që vlerësohet si një element i domosdoshëm në përmbushjen e detyrave. Krahas kësaj, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit kanë akses në rubrikën “Interpol” për verifikimin e të gjitha automjeteve të vjedhura, që synohet të sillen në Shqipëri, në pikat e ndryshme të kalimit kufitar, në portin e Vlorës, apo në atë të Sarandës e Himarës. Kjo është shoqëruar me përmirësimin e performancës së punës së policisë në këtë drejtim, duke u konkretizuar me rezultate në rritje. Vetëm gjatë javës së fundit, strukturat e policisë kufitare të qarkut të Vlorës kanë bllokuar 9 persona, të shpallur në kërkim, të dyshuar si autorë të ngjarjeve të ndryshme. Prej disa muajsh, policia kufitare e Qarkut të Vlorës po zbaton një program masash, që synojnë forcimin e kontrollit në hyrje daljet e pikave të kalimit kufitar. Në këtë program, përfshihen trajnimi i punonjësve të policisë për kryerjen e detyrave respektive, përdorimi i sistemeve të kontrollit, njohja me bazën ligjore të policisë kufitare, përcaktimi dhe zbatimi i detyrave specifike për çdo shërbim. Në pikën kufitare të portit të Vlorës funksionon sistemi i kontrollit TIMS (sistemi i informacionit total të të dhënave), i cili u instalua pak vite më parë, nën asistencën e ICITAP. Në këtë sistem, verifikohen me lehtësi gjeneralitetet e shtetasve, origjinaliteti dhe ndërhyrjet në dokumentacion dhe në fotot shoqëruese, gjë që krijon të gjitha mundësitë për të zbuluar dhe bllokuar personat me precedentë penalë në Itali dhe Shqipëri.
...