Rexhepi nuk e dinte për arrestimet

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha sot se nuk ka qenë në dijeni për çfarë aksioni bëhet fjalë me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqit, si dhe të disa ish-luftëtarëve të UÇK-së, nga ana e EULEX-it.
Gjithashtu, Rexhepi mohoi se ka qenë i njoftuar me urdhërarrestin ndaj Fatmir Limajt.
Ministri Rexhepi përsëriti se arrestimet për dyshime për krime lufte janë kompetencë e EULEX-it.
Ai këto komente i bëri të shtunën në Hanin e Elezit me rastin e pranim-dorëzimit të përgjegjësive për kontrollin e kufirit në mes Kosovës dhe Maqedonisë nga KFOR-i te Policia Kufitare e Kosovës.
Duke folur rreth arrestimeve të fundit, Rexhepi ka theksuar se çdo hetim ose arrestim që ka të bëjë me dyshimet për krime lufte është kompetencë ekzekutive e EULEX-si, por sipas tij kjo nuk do të thotë se Policia e Kosovës dhe EULEX-i nuk bashkëpunojnë në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në raste të caktuara.
Rexhepi tha se nuk ka pasur të dhëna lidhur me aksionin për arrestimin e Nexhmi Krasniqit, drejtor i policisë rajonale në Prizren. “Njësitë mbështetëse gjatë shkuarjes para se të arrijnë në Prizren kanë qenë të njoftuara se për kënd bëhet fjalë dhe si profesionist e kanë kryer obligimin e vetë që t’i mbështesin njësitë e EULEX-it. Shpjegova pak më gjatë që të mos ketë spekulime në media në lidhje me këtë, dhe edhe një herë e përsëris se as unë si ministër, as ministri i Drejtësisë nuk kemi pasur të dhëna paraprake se çfarë aksioni dhe kur do të bëhet”, ka thënë ai, transmeton KosovaPress.
Ministri Rexhepi dhe as shefi i Policisë së EULEX-it Udo Muller, nuk kanë dashur të komentojnë se a është shkelur Kushtetuta nga EULEX-i, me rastin e lëshimit të fletarrestimit të deputetit në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Limaj.
Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të ministrit serb për Kosovën Goran Bogdanoviq se për Beogradin zyrtar Kosova është zonë e veçantë doganore, por kjo nuk do të thotë se dëshira e institucioneve të Kosovës duhet t’u imponohet edhe qytetarëve të cilët jetojnë në veri, Rexhepi ka thënë se institucionet e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vendosin rendin dhe ligjin edhe në veri.
“Nëse zoti Bogdanoviq, ose kushto qoftë në veri grupe të caktuara mendojnë se vendosja e rendit dhe ligjit konsiderohet si provokim kjo do të ndodhë çdo ditë dhe asnjëherë nuk do të kthehemi prapa. Jemi shumë të përkushtuar që edhe në atë pjesë të Kosovës të sundojë rendi dhe ligji të krijohet ambienti i qetë për të gjithë qytetarët. Dhe unë mendoj se kjo është interes i grupeve të krimit, të cilët shpeshherë i paguajnë qytetarët që t’i bëjnë këto protesta për arsye se kanë interesin që me maune me naftë etj., t’i vazhdojnë t’i kryejnë krimet ekonomike”, ka thënë Rexhepi.