Arrestohen në Mal të Zi, 38 trafikantë droge
Shtatë shqiptarë dyshohet se furnizonin malazezët me marijuanë, ndërsa malli depëronte në Bosnje, Kroaci, Slloveni dhe në fund në Europë
Të arrestuarit akuzohen për kultivim të mallit dhe trafikim të tij nga Shqipëria, për në vendin e tyre. Policia shqiptare, kontrolle në Shkodër
Një operacion i Përbashkët i Policisë Shqiptare dhe asaj, malazeze ka përfunduar me arrestimin e 38 personave me shtetësi malazeze të akuzuar trafik lëndësh narkotike si dhe kultivim të saj. Mes të arrestuarve, ka qenë edhe një oficer policisë së vendit fqinj, si dhe një zyrtar i Agjencisë së Pastrimit të parave të këtij vendi me inicialet R.R.
Arrestimet janë kryer pasditen e djeshme në territorin e Malit të Zi, nga policia vendase, ndërsa në hetimet e zbulimit të këtij rrjeti të fuqishëm ka marrë pjesë edhe Policia e Shtetit në Shqipëri, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Burime nga policia thanë se rrjeti i trafikimit të drogës në Malin e Zi, dyshohet se ka bashkëpunëtorë edhe shqiptarë dhe se aktiviteti kriminal i tyre është shtrirë në të dy vendet. Pas hetimeve disamujore, dje është finalizuar operacioni ndaj këtij grupi, duke prangosur 38 persona.
Megjithëse policia malazeze dyshon se droga vinte nga Shqipëria ende nuk ka pasur pranga për shqiptarë, por të arrestuarit janë malazezë. Burime nga policia thanë se ndër personat e arrestuar është një oficer policie i Malit të Zi dhe një zyrtar i Agjencisë së Sekuestrimit të Pasurive.
Ndërkohë që policia shqiptare ka kryer kontrolle në qytetin e Shkodrës dhe në Bajzë të Malësisë së Madhe paralelisht me operacionin që zhvillohej në territorin e Malit të Zi, për personat e dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet.
Rrjeti
Pak muaj më parë, policia malazeze i ka kërkuar ndihmë policisë shqiptare të verifikojë disa persona të cilët dyshohet se ishin të implikuar në një rrjet të trafikut të drogës me bazë në Mal të Zi.
Kështu policia e prokuroria për krimet e rënda Shqiptare nisën verifikimet për disa persona të cilët dyshohet se janë nga Shkodra. Burime nga policia thanë se nuk është marrë asnjë masë arresti ndaj personave shqiptarë pasi pritet letërporosia e policisë malazeze për një veprim të tillë, ndërsa verifikimet janë kryer për llogari të homologëve të Malit të Zi.
Ndërkohë që burime nga policia thanë se dyshohet se janë shtatë persona shqiptarë të implikuar në këtë rrjetë të trafikut të lëndëve narkotike. Mes shtatë shqiptarëve të dyshuar ka edhe oficerë policisë por sipas burimeve policore ende nuk është konfirmuar pjesëmarrja e tyre në këtë rrjet.
Nga hetimet dyshohet se të arrestuarit për një kohë të gjatë kanë trafikuar drogë të llojit Kanabis Sativa nga Shqipëria nëpërmjet territorit të Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë e më pas në vendet e Europës Perëndimore.
"Operacioni i djeshëm u parapri nga një takim të zyrtarëve të Policisë së Malit të Zi, Prokurorit Special të Luftës Kundër Krimit të Organizuar me drejtues të lartë të Policisë Shqiptare dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Në takim palët shkëmbyen informacionet, të cilat çuan në përfundimin operacionit",- thuhej në deklaratë e lëshuar mbrëmë nga Policia e Shtetit.
Sipas kësaj të fundit në bazë të hetimeve të deritanishme dyshohet se 38 personat e arrestuar dje, gjatë vitit 2008 dhe fillimi i vitit 2009 kanë trafikuar një sasi të konsiderueshme kanabis sativa.
Në momentin e arrestimit janë sekuestruar 35 kilogram kanabis sativa, 70 mijë euro dhe shtatë automjete.
Ndërkohë që burimet policore thanë se për arrestimin e personave shqiptarë të implikuar në këtë rrjet pritet vetëm letërporosia e policisë malazeze. Por të njëjtat burime shtuan se janë marrë në pyetje shtatë persona, por ende nuk është sqaruar roli i tyre.