E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopi, 18-vjeçari pranon autorësinë e përdhunimit

Fëmija i cili ende nuk ka mbushur katër vjeç është vizituar nga mjekët ligjorë e më pas është larguar


PESHKOPI - Ledian Halili e ka pranuar se ka abuzuar me të miturin, i cili nuk kishte mbushur ende katër vjeç. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga burimet zyrtare të policisë, të cilat shprehen se ndaj 18-vjeçarit është ngritur akuza e "kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me të mitur".

Ndërkohë, dje prindërit e fëmijës e dërguan atë në spitalin pediatrik e më pas tek mjeko-ligjorët, ndërsa është pohuar se fëmija nuk është në gjendje të mirë psikologjike, por pritet që një gjendje e tillë të përmirësohet me kalimin e kohës.


Arrestimi


Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i Ledian Halilit u bë pikërisht ditën kur ky shtetas mbushi 18 vjeç. Duket se djaloshi i ka bërë vetes një dhuratë vërtet të çuditshme. Sipas bluve, Lediani, banor i fshatit Bahutë të komunës së Tominit, ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur 3,5-vjeçar.


Menjëherë pas ngjarjes, i mituri ka kontaktuar me prindërit dhe më pas është dërguar në spitalin rajonal të Peshkopisë, ku pas kontaktit me mjekët është arritur në përfundimin se me të ishte abuzuar seksualisht.


Si rrjedhojë, më pas u njoftua edhe policia, e cila pas kryerjes së hetimeve të para arriti në identifikimin dhe më pas kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, Ledian Halili, i cili u arrestua për kryerjen e veprës penale të "kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me të mitur". Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, sipas burimeve zyrtare, 18-vjeçari ka pohuar autorësinë.


Mjeko-ligjorët


Ndërkohë, i mituri u dërgua dje për një vizitë në spitalin pediatrik e më pas në mjekësinë ligjore. Pas kryerjes së vizitës pritet që edhe mjeko-ligjorët të dalin në një përfundim, i cili do të ndihmojë për hetimet e mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të çështjes.


Nga ana tjetër, të miturit pasi i janë kryer vizitat përkatëse, është larguar nga prindërit e tij dhe nuk është lënë në spital. Ndërsa vetë të afërmit e kanë cilësuar si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur.


Dy ditë më parë, për gazetën "Shekulli" ata hodhën poshtë pretendimet se 18-vjeçari kishte probleme mendore, si dhe u shprehën se përgjegjës për ngjarje ishte vetëm autori Lediani dhe se nuk kishin asgjë me familjarët e tjerë. I mituri jetonte bashkë me të ëmën, pasi i ati ndodhej emigrant në Greqi, por u kthye menjëherë pasi mori vesh për ngjarjen.


Këto ditë ata kanë qëndruar në Tiranë, duke ndenjur edhe larg vendit ku i mituri mund të ketë kujtime të papëlqyeshme. Nga ana e mjekëve bëhet e ditur se djali ishte në gjendje të rëndë psikologjike, megjithatë shpresohet që në të ardhmen ai do të mund të rikuperohet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›