E Shtunë, 31 Tetor 2026

"UFO" i arratisjeve në gjyq për "vrasjen" e policit

Ilir Paja, i cilësuar si mjeshtër i arratisjeve në Itali, do të gjykohet për plagosjen e rëndë të policit në Tiranë gjatë arrestimit të tij


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimin ndaj mjeshtrit të arratisjeve nga burgjet italiane, Ilir Pajës, i njohur ndryshe në media si "Ufo".


Prokurori i çështjes Njazi Seferi, i dha fund hetimeve të dosjes nr. 28 të cilën e dorëzoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me të akuzuar Ilir Pajën, që do të gjykohet krimet e "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentative dhe "armëmbajtjes pa leje".


Sipas kërkesës për gjykim, 36 vjeçari Paja akuzohet se paraditen e 6 shkurtit të vitit 2008 pas rrethimit nga forcat e policisë, ka tentuar të largohet me makinën e tij, ndërsa ka marrë zvarrë agjentin e njësisë së operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë, shtetasin Bledar Haxhimali.


Ai pësoi dëmtime të rënda, por për fat ai tashmë është rikthyer në normalitet falë ndërhyrjes së kryer në Itali. "Nga hetimi ka rezultuar se me 6 shkurt 2008, dy agjentët e policisë, Bledar Haxhimali dhe Roland Mete po kryenin detyrën e vëzhgimit përballë maternitetit "Kiço Glozheni".


Haxhimali ka vënë re të super kërkuarin nga policia italiane shtetasin Ilir Paja, që po udhëtonte me një makinë të tipit "Fiat Punto" me targa BÇ 983 DP me ngjyrë gri. Me të parë "mjeshtrin e arratisjeve", agjenti Haxhimali ka njoftuar eprorët e tij, Dorian Muça, e Arben Caka.

Dy agjentët Haxhimiali dhe Mete, po kryenin ndjekjen e Pajës me një motor tip "Skuter" në drejtim të kryqëzimit të "Bërrylit" përgjatë rrugës "Bardhyl", dhe komunikonin me eprorët e tyre, për të përcaktuar saktë pozicionin e të kërkuarit"- thuhet në kërkesën për gjykim. Motoçikleta e dy agjentëve makina ku ndodheshin nuk kishte asnjë shenjë dalluese të policisë, kjo për shkak të vetë natyrës së punës së tyre.

Grupi i policëve i ka bllokuar rrugën Pajës për t'i penguar largimin, ndërsa oficerët i kanë drejtuar pistoletën dhe fjalët "policia dorëzohu". I pandehuri, sapo ka parë efektivët e policisë që i janë drejtuar atij, ka reaguar duke i dhënë makinës në drejtim mbrapa me shpejtësi.

Në manovrim e sipër, makina e tij ka përplasur dhe ka marrë poshtë motorin me agjentin Haxhimiali, duke e dëmtuar rëndë duke i rrezikuar edhe jetën. Më pas ai u arrestua nga policia dhe tashmë rrezikon një dënim kapital.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›