Fatet e ish- bosëve të piramidave
Veç ish- pronarit të "Popullit", në kërkim është edhe ish- bosi i "Silva" Pëllumb Shehaj i cili dështoi të ekstradohej nga Gjermania
Bashkim Driza ishte ndër të fundit ish- drejtues të firmave piramidale që priste të shijonte si i dënuar qelitë e burgjeve në Shqipëri.
Ai u arrestua nga policia në vitin 1997, pas rrëzimit të skemave piramidale që pasuan edhe periudhën e trazirave dhe me rënien e shtetit. Arrestimi i tij në Urguajin e largët ringjalli shpresat e shumë kreditorëve të ish- piramidës së tij, se mund të merrnin sa do pak para më tepër nga sa iu kishin dalë pas auditit të autoriteteve shtetërore gjatë periudhës së transparencës.
Ai si dhe Pëllumb Shehaj, janë ndër të vetmit që kanë mbetur të lirë pa shijuar dënimet e gjykatave të dhënë ndaj tyre pikërisht për këto mashtrime. Ekstradimit në drejtim të Shqipërisë, i ka shpëtuar deri më tani edhe Pëllumb Shehaj, ish- bosi i rentieres "Silva", i cili u arrestua në Gjermani vite më parë, ndërsa afati 40 ditor për dërgimin e dosjes nuk u respektua nga pala shqiptare. Kësi soj, ai u lirua nga pala gjermane edhe pse në Shqipëri rezulton i dënuar.
Që prej vitit 1995 e deri në fillim të marsit 1997 shqiptarët u rendën të depozitojnë paratë dhe kursimet e tyre në firma të cilat më pas rezultuan të ishin veç se skema mashtruese piramidale.
Ato vepruan tërësisht jashtë sistemit banker duke u bërë akoma më tepër ilegale. Një numër i konsiderueshëm subjektesh të drejtuar nga individë që pretendonin se kishin biznese, premtonin se paratë e shqiptarëve do të shumëfishoheshin, në mënyrë astronomike.
Kjo ëndërr fitimi nuk zgjati shumë, duke u kthyer në një makth e në fund zhgënjim, pasi të gjitha falimentuan. Menjëherë pas shpërthimit të skandalit dhe dështimit të firmave piramidale shumë prej bosëve të këtyre firmave u arratisën nga Shqipëria. Rreth 10 vjet më parë, nisën dhe akuzat mbi ish-bosët e këtyre firmave për mashtrime në shuma të mëdha.
Vehbi Alimuça, presidenti i firmës "VEFA" ishte një nga ish-bosët që mori dënimin më të lartë nga Gjykata e Tiranës si dhe nga ajo e Apelit ku u dënua me 20 vite burgim, e më pas "kolegët" e Alimuçës u morën dënime të ndryshme njëri pas- tjetrit. Të gjitha dënimet u dhanë pas vitit 2001 kur dhe u shpallën në kërkim ish-bosët e firmave piramidale.
Dy prej grave, që drejtuan këta skema, si Shemsie Kadria e firmës "Gjallicës" dhe Maksude Kadëna e njohur si "Sudja" u dënuan dhe aktualisht kanë fituar janë të lirinë. Vitin e kaluar, u ekstradua nga Greqia ish-presidenti i firmës "Cenaj & Co" Lefter Cenaj i cili në vitin 2003 u dënua me 10 vite burgim. Ish-presidenti i firmës "Xhaferri" Rrapush Xhaferri, nuk mundi të gëzonte lirinë dhe fundin e dënimit të tij për mashtrimet për të cilat u dënua.
Ai ndërroi jetë në burg pas një sëmundjeje të rëndë. Ndërkohë që pavarësisht se janë dënuar të gjithë ish-bosat e firmave piramidale që u kushtuan shqiptarëve miliona lekë dëme, shumë pak prej tyre ndodhen në qeli, ndërsa të tjerë janë në arrati si dhe të liruar.
Vendimet e "Piramidave"
Vehbi Alimuça ish-bosi i firmës "VEFA"
Në mars 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e dënoi me pesë vjet burg, në dhjetor të po të njëjtit vit, Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg, aktualisht vazhdon të vuajë dënimin në burg.
Shemsie Kadria ish-bose e firmës "Gjallica"
Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me 17 vjet burg, në qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi këtë dënim. Kadria është liruar nga burgu më shumë se një vit më parë. Aktualisht është e lirë.
Fitim Kërxhalliu, ortak i Shemsie Kadrisë tek"Gjallica"
Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg, në qershor të po atij viti, Gjykata e Apelit e dënoi 11 vjet burg. Aktualisht rezulton i shpallur në kërkim.
Gani Kadria, ish- bashkëshort i Shemsi Kadrisë ortak tek"Gjallica"
Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg, Gjykata e Apelit 10 vjet burg
Maksude Kadena ish-bose e firmës "Sudja"
Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me pesë vjet burg. "Sudja" ishte e para që kreu dënimin dhe më pas mori lirinë
Bashkim Driza ish-presidenti i firmës "Populli"
Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 16 vjet burg
Arben Çepele, ortak i Bashkim Drizës
Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 12 vjet burg
Ferdinand Kamberi ish-presidenti i firmës "Kamberi"
Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 18 vjet burg
Mustafa Leka ish-bosi i shoqërisë "M.Leka"
Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 20 vjet burg
Lefter Cenaj ish-bosi i firmës "Cenaj & Co"
Në shkurt 2003, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e ka dënuar me 10 vjet burg. Aktualisht vuan dënimin në burg.
Pëllumb Shehaj, ish pronar i "Silva"
Lirohet në Gjermani sepse drejtësia shqiptare nuk dërgoi dokumentet e ekstradimit në kohë
Aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë