E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen për kontrabandë tre tregtarë të "Medresesë"

Kontrabanda e mallrave nga Greqia për në tregun e kryeqytetit ka çuar në pranga tri persona. Policia e Tiranës bëri të ditur se dje ka arritur të finalizojë një superoperacion të suksesshëm i koduar "Tregu i Medresesë", duke sekuestruar mall kontrabandë, kryesisht konfeksione, si dhe duke vendosur nën pranga tri persona. Sipas policisë, është marrë masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë ndaj: Oligert Jakupit, 30 vjeç, lindur dhe banues në Korçë; Adriatik Kollonës, 37 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë; si dhe Ilir Rrapaj, 37 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier. Aksioni është bërë falë një pune të mirëfilltë operacionale. Gjatë hetimeve rezultoi se malli kontrabandë, kryesisht konfeksione (bluza, pantallona, pallto etj.), dyshohet të ketë hyrë kontrabandë nga tri personat e sipërcituar, nga pika e kontroll-kalimit kufitar Kapshticë. Përgjatë momentit të kalimit kufitar ata u kapën në flagrancë duke transportuar mallin kontrabandë me një kamion me targë VL6434C, me drejtim lëvizje Kapshticë-Tiranë. Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamion, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 900 copë bluza të llojeve të ndryshme, 450 copë pellushë të llojeve të ndryshme, 800 palë pantallona firmato, 200 kostume sportive, 300 pallto stofi, 700 xhupa dimërore, 300 kostume për meshkuj dhe femra. Nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik-Financiar u kryen menjëherë veprimet e para procedurale dhe materialet e përpiluara i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, nën akuzën për konsumim të veprave penale të "kontrabandës me mallra të tjera", "tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", si dhe "ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë", të gjitha në bashkëpunim. Policia tha se po heton për zbardhjen e të gjithë aktivitetit të të ndaluarve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›