Refuzohen 50 milionë euro të Realit për Amaurin
Juventusi nuk mendon ta shesë Amaurin me asnjë lloj çmimi. Për këtë arsye, bardhezinjtë i kanë komunikuar Realit të Madridit që nuk do të pranojnë një ofertë të mundshme me vlerë 50 milionë euro për sulmuesin italo-brazilian. Përveç krizës së rezultateve, kampionët e Spanjës duhet të zgjidhin edhe problemet në sulm, pas dëmtimit të holandezit Rud Van Nistelroi dhe Amauri cilësohej si alternativa më e mirë. Megjithatë, drejtuesit e "Zonjës së Vjetër" janë të vendosur t‘i rezistojnë "joshjes" së madrilenëve. Gazeta torineze, "Tuttosport", shkruante se Juventusi nuk e pranoi ofertën e iberikëve dhe u tha që të kërkonin në skuadrat e tjera. "Amauri nuk është në shitje, pavarësisht çmimit që ofrohet. Harrojeni blerjen e tij", ishte deklarata e një burimi pranë klubit italian. Sipas spekulimeve, Reali është gati që të rrisë ofertën për kartonin e sulmuesit, por ata do të përballen sërish me refuzimin e bardhezinjve, që në këtë sezon synojnë të triumfojnë në Serinë A dhe në Ligën e Kampioneve. Amauri është shndërruar në një prej pikave të forta të skuadrës së Ranierit, duke konfirmuar aftësitë e tij realizuese. Mes alternativave për të përforcuar sulmin në "Santiago Bernabeu" ishte edhe Hernan Krespo, por Interi ka mohuar se argjentinasi mund të largohet.