Durrës, policia gjen armën me të cilën u vra 31-vjeçari
Një ditë pas krimit, forcat e policisë, që janë vënë në gjueti të armës, kanë mundur ta gjejnë të hedhur në një kanal pistoletën që i mori jetën 31-vjeçarit Saimir Balla. Ndërkaq, prangat janë shtrënguar jo vetëm në duart e dy autorëve të vrasjes së Durrësit, po dhe për një mbështetës të tyre, 26-vjeçarin Ervin Kodra nga qyteti bregdetar. Elis Tefa, 21 vjeç, dhe Orges Dervishi, 25 vjeç, të dy banorë të Shkozetit, janë arrestuar në flagrancë në orën 02:00 të së shtunës, nën akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Bashkë me ta është arrestuar edhe Ervin Kodra. Të tre të arrestuarit kanë qenë të dënuar më parë dhe njiheshin si kontingjent kriminal. Elis Tefa, që dyshohet të jetë dhe ekzekutori i Ballës, ka qenë dënuar më parë për plagosje të rëndë. Ai është nga Burreli dhe prej disa vitesh jetonte në Durrës, në lagjen periferike të Shkozetit. Ndërkohë, emri i Orges Dervishit është shfaqur për herë të parë katër vite të shkuara, në një tjetër ngjarje që regjistroi si viktimë pronaren e një lokali, bar-bufe "Unaza", në unazën që lidh Plazhin me Shkozetin, ndërsa në vitin 2007 ka qenë kapur për prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe armëmbajtje pa leje. Pasi ka kryer veprimet e para dhe ka sqaruar rrethanat e krimit, grupi hetimor ka deklaruar se rivaliteti mes të rinjve ka nxitur një konfliktim midis tyre për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi mesditën e së premtes, prapa Pallatit të Kulturës. Tre të arrestuarit janë konfliktuar me viktimën Saimir Balla. Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se të rinjtë janë goditur me grushte dhe në grindje e sipër e kanë qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vrarë. Më pas ata janë ndarë duke u larguar në drejtime të ndryshme. Tefa dhe Dervishi kanë arritur edhe të dalin nga Durrësi me gjithë postblloqet e ngritura. Ervin Kodra ndërkohë është arrestuar për përkrahje të autorit të krimit. Ndërkaq, pas marrjes në pyetje të të arrestuarve, forcat e policisë kanë arritur të zbulojnë se ku është fshehur arma e krimit. Forcat gjatë ditës së shtunë janë vënë në lëvizje për gjetjen e saj, pas deklarimit se ishte hedhur nga autorët në një kanal në Lagjen 13 të Durrësit, në zonën e Plazhit. Ndërsa kanë qenë duke braktisur qytetin për t‘i shpëtuar policisë pas kryerjes së krimit, autorët kanë menduar të shpëtojnë prej armës. Gjithsesi, ajo u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale dhe do t‘u nënshtrohet testeve balistike për të provuar dhe shkencërisht autorësinë e krimit që i mori jetën 31-vjeçarit nga Arapaj, i cili është përcjellë dje rreth orës 13:00 për në banesën e fundit.