Bekham, vetëm dy muaj me Milanin
Devid Bekham do të qëndrojë te Milani vetëm për dy muaj. Pas zërave se klubi kuqezi mund të blejë përfundimisht kartonin e mesfushorit anglez, ka ardhur reagimi i zëdhënësit të Los Anxhelos Galaksi, Simon Oliveira. Ai konfirmoi se kalimi i Bekham në "San Siro" vlen vetëm për dy muaj: "Devid ka firmosur kontratë vetëm për dy muaj huazim dhe nuk ka pasur bisedime për zgjatjen e saj. Gjithçka që është folur gjatë këtyre ditëve nuk është e vërtetë. Presim që lojtari të kthehet te Galaksi për fillimin e kampionatit 2009". Në Milano lojtari pritet të mos mbërrijë në fillim të dhjetorit, ashtu si mendohej dhe do të shoqërohet nga një trajner personal.