E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokuan një makinë në port, arrestohen dy doganierë

Dy doganierë, me detyrë në pikën doganore të Portit detar të Durrësit, kanë provuar dje ftohtësinë e prangave, pasi katër ditë më parë kishin penguar një shtetas që të nxirrte makinën e tij nga territori doganor. Policia e Durrësit njoftoi dje se arrestoi nën akuzën e shpërdorimit të detyrës shtetasit Ilir Mujani, 47 vjeç, lindur në Durrës e banues në Tiranë, si dhe Dashamir Lekën, 47 vjeç, lindur në Elbasan e banues në Tiranë. Sipas komunikatës së policisë së Durrësit, arrestimi i dy doganierëve të portit u bë për arsye se më datë 12 nëntor 2008 nuk lejuan të dalë nga territori doganor një automjet tip "Audi", me targë BV399NT, i cili posedohej nga shtetasi R.K. Lidhur me rastin në fjalë nga ana e policisë u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale për veprën penale të shpërdorimit të detyrës iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës. Dy doganierët u paditën nga shtetasi me inicialet R.K., i cili pretendonte se kishte dokumentet e nevojshme për të futur makinën në territorin shqiptar, por është penguar padrejtësisht nga doganierët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›