E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen për vjedhje dy të rinj, kërkohen dy të tjerë

Vjedhje në Durrës e Krujë, dy prangosen dhe të tjerë në kërkim. Zamir Jakupi dhe Elton Hasa, përkatësisht 31 dhe 27 vjeç, nga Rrethi i Durrësit, janë arrestuar në flagrancë nga policia pas vjedhjes në bashkëpunim të një farmacie afër qendrës së qytetit bregdetar. Ata e kanë vjedhur me thyerje objektin në pronësi të një shtetaseje 27 vjeçe nga Durrësi dhe kanë marrë nga ajo vetëm 10 shishe me produkte kozmetike. Të dy të arrestuarit kanë qenë të dënuar më parë nga drejtësia. Jakupi, me banim në Lagjen 8 të qytetit dhe me arsim vetëm 2 klasë, është dënuar më parë për vjedhje, ndërsa Hasa nga Fermë Xhafzotaj ka qenë dënuar më parë për plagosje. Ndërkaq, një tjetër hajdut është arrestuar në Krujë, pas konstatimit të vjedhjes me thyerje të shtëpisë së një familjeje emigrante, e cila prej 6 muajsh jeton në Greqi. Në shtëpinë e emigrantit Kastriot Derveni, persona ende të panjohur kanë vjedhur pajisje elektroshtëpiake. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në Durrës numri i vjedhjeve është rritur në mënyrë të ndjeshme gjatë muajve të fundit, tregues i rritjes së varfërisë dhe papunësisë në këtë qark. Nuk kanë munguar as vjedhjet e dyqaneve ushqimore për të siguruar produktet bazë të ushqimit për familjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›