Vetëhelmohet nëna e dy fëmijëve
Nuk ka mundur të mbijetojë 34-vjeçarja e vetëhelmuar me propan. Ndonëse është dërguar me urgjencë për në spitalin e Sarandës, e më pas në atë të Tiranës, Anastasia Haxhiu nuk ka mundur t‘i mbijetojë helmit dhe ka ndërruar jetë pasditen e së mërkurës. Paraditen e së martës, në fshatin Markat të Sarandës, 34- vjeçarja ka tentuar t‘i japë fund jetës duke përdorur tableta helmuese propan. Gruaja ka mbërritur në gjendje të rëndë në spitalin e Sarandës dhe pas ndihmës paraprake për ta nxjerrë atë nga gjendja kritike, është kërkuar ndihma e ministrisë për transportimin me helikopter për në Tiranë. Por edhe pas kësaj tentative, nëna e dy fëmijëve nuk ka mundur t‘i bëjë dot ballë vdekjes.