Pronat, maskat terrorizojnë një familje në Tiranë
Një tjetër grabitje me armë është dyshuar nga policia e kryeqytetit, por tashmë e shoqëruar edhe me dhunë fizike. Tre persona kanë hyrë në një banesë, duke ushtruar terror mbi familjarët, duke i keqtrajtuar ata, por nuk kanë marrë asgjë. Ndërsa gjatë punës hetimore, policia mundi të identifikojë të dyshuarit dhe mendon se dhuna ndaj familjes ka ardhur për çështje prone. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 21:40 të së mërkurës në fshatin Fushë-Prezë. Tre persona të maskuar kanë hyrë në banesën e Xhemal Dakut. Aty kanë kërcënuar me armë familjen e tij, duke i goditur. Por, ata nuk kanë kërkuar asgjë. Më vonë, pas terrorit të ushtruar ata janë larguar, duke përdorur një mjet që e kishin lënë disa metra larg banesës private. Familja e dhunuar ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje pak minuta më pas. Fillimisht është marrë kontakt me të dhunuarit e më pas është bërë krehja e gjithë zonës. Por, edhe për shkak të errësirës, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e autorëve të dhunshëm. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka marrë deklaratat e familjarëve të dëmtuar, të cilët janë shprehur se ata nuk kishin ardhur për grabitje. Sipas policisë, familja kishte disa milionë lekë në banesë, por askush nuk i ka prekur me dorë. Por, gjatë hetimeve ka rezultuar se ky terror mund të jetë shkaktuar për arsye pronësie. Sipas policisë, familja Daku ka disa probleme pronësie dhe ndokush mund të ketë bërë presion mbi ta për këto konflikte. Madje, policia tha se ka identifikuar të dyshuarit, por ende po punohet me dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Sipas policisë, janë shoqëruar disa të dyshuar, por ende nuk është marrë asnjë masë ndalimi për ta. Ndërsa të dëmtuarit, pas marrjes së mjekimeve të duhura, janë rikthyer në banesë.