E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has, grabitësit e bankës plagosin policin

Një përpjekje e mbetur në tentativë e katër personave për të grabitur filialin e bankës "Raiffeisen" në qytezën e Krumës në Rrethin e Hasit, ka përfunduar me plagosjen e rojës së sigurisë. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së djeshme, kur në degën e "Raiffeisen"-it është shfaqur një person i maskuar dhe i armatosur, i shoqëruar nga një tjetër që e ka vënë maskën pasi ka hyrë brenda në ambientin e bankës, ndërkohë që dy të tjerë kanë qëndruar jashtë në pritje. Sapo janë pikasur nga roja e sigurisë, Fadil Lushaj, 57 vjeç nga Hasi, ky i fundit ka tentuar t‘i bllokojë dhe në këtë moment, siç kanë dëshmuar punonjësit e sportelit të bankës, njëri prej të dyve e ka qëlluar Lushajn me një pistoletë "Miniblow". 57-vjeçari është rrëzuar përnjëherë dhe për këtë arsye grabitësit janë frikësuar dhe kanë ikur me çantën bosh, pa marrë asgjë. Për Krumën, dita e djeshme ka qenë një ditë feste e shenjtë, kur gati të gjithë banorët kishin udhëtuar në vendin e shenjtë në Çabrat, 7 km larg qytetit, ku ndodhet një tyrbe që frekuentohet 9 ditë pas Shën Gjergjit dhe të gjitha rrugët, përfshi sheshin para bankës, kanë qenë thuajse të shkreta. Disa nga njerëzit e paktë që janë ndodhur në qytezë i janë drejtuar menjëherë bankës, sapo kanë dëgjuar krismën e armës dhe sapo kanë parë rojën e përgjakur e kanë nisur menjëherë për në spitalin e Kukësit. Mjekët kanë pohuar se Lushaj kishte marrë një plumb në pjesën e barkut, që i ka prekur mëlçinë, dhe sapo ka mbërritur në spital, ai i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Përpara se të humbiste ndjenjat, roja ka pohuar se ka arritur të shohë në fytyrë njërin prej agresorëve, por nuk ka mundur ta njohë. Ndërkohë, burime të policisë thonë se sapo janë sinjalizuar, në vendngjarje ka shkuar grupi i gatshëm dhe po hetohet me intensitet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa në kërkim të agresorëve janë vënë forca të shumta policie. Burime ende jo zyrtare të policisë thonë se në rastin e dhënë kemi të bëjmë me persona joprofesionistë, të cilët, pasi kanë plagosur rëndë rojën e sigurisë, janë frikësuar dhe janë larguar në drejtim të paditur. Por asnjë nga pistat e mundshme nuk mund të hidhet poshtë, përfshi edhe vrasjen si qëllim dhe jo grabitjen, derisa të kapen autorët dhe të zbardhet krimi. Efektivë të policisë së kufirit janë vënë gjithashtu në ndjekje për të penguar largimin e agresorëve drejt Kosovës dhe e gjithë zona po këqyret me kujdes. Nga ana tjetër, ekspertët pritet të zbardhin pyetje të shumta lidhur me skenarin e ngjarjes, kishte apo jo rojë të policisë private, ishte apo jo i armatosur roja e sigurisë dhe se si ka funksionuar sistemi i alarmit, nëse ka pasur të tillë. Një numër personash që ndodheshin në oborrin e Spitalit të Kukësit kanë dhuruar gjak për rojën e sigurisë së bankës. Tre vëllezërit e Fadilit, në pritje të daljes nga salla e operacionit, treguan se vëllai i tyre punonte prej shumë vitesh si roje për sigurinë e bankës. Ai është i martuar dhe ka katër fëmijë, dy djem emigrantë në Angli. Pranë tij, në oborrin e spitalin ndodheshin dje gati e gjithë familja Lushaj dhe plot banorë të tjerë të Krumës, përfshi edhe kryetarin e bashkisë. Në Rrethin e Hasit kjo është tentativa e parë e grabitjes së një banke. Disa vite më parë është grabitur në aksin e rrugës Kukës-Krumë automjeti që transportonte fondet e pagave dhe pensioneve të Hasit prej rreth 1 milion dollarë nga persona që asnjëherë nuk u kapën nga policia dhe ku pati edhe viktima nga ana e grabitësve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›