E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon për pazar në Elbasan, arratiset nëpërmjet floktores

Vjen për pazar në qytet me prindërit, denoncon në polici "arratisjen" e së ëmës. Ngjarja groteske ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku një çift bashkëshortësh nga fshati Shushicë, bashkë me djalin e tyre 15-vjeçar kanë shkuar në pazar. Por me të mbërritur në qendër, 36-vjeçarja Luljeta Rada është shkëputur nga bashkëshorti, Tahiri, dhe i biri, Astriti, me pretekstin se duhet të shkonte në një parukeri, por nuk është kthyer më që andej. "Mami na tha se do të rregullonte flokët te parukierja, por kur u vonua shumë, ne hymë brenda për ta parë, por te floktorja na thanë se kishte dalë nga dera e pasme", ka treguar 15-vjeçari, teksa ka bërë denoncim për zhdukjen e së ëmës në Policinë e Elbasanit. Ka qenë i biri që ka bërë kallëzimin në polici, pasi bashkëshortit i vinte turp që gruaja e tij i kishte braktisur në atë mënyrë. Hetimet e para të policisë kanë nisur nga floktorja, por pronarja e saj nuk kishte hedhur asnjë hije dyshimi pse klientja kishte preferuar të largohej nga dera e pasme e dyqanit. Policia është vënë në kërkim të 36-vjeçares, ndërkohë që djali ka shpjeguar se nëna kishte katër muaj që nuk ishte mirë nga ana shëndetësore. Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, ndërkohë që Rada është shpallur person në kërkim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›