Luanin me çifte, bariu 15-vjeçar vret shokun
Një 16-vjeçar nga fshati Drangaj i Komunës Karinë të Peqinit ka humbur jetën dje pasdite teksa luante me një shokun e tij me një çifte. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 të së enjtes. Burimet policore bëjnë të ditur se dy adoleshentët Sajmir Hyka, 16 vjeç, dhe K.Drangaj, 15 vjeç, kanë qenë duke kullotur bagëtitë në një nga kodrat e fshatit, rreth pesë kilometra larg shtëpive. Ende nuk dihet se cili nga djemtë e kishte marrë armën e gjahut, por burimet sqarojnë se të dy shokët kanë qenë duke lozur me të dhe në këto rrethana kanë nisur një debat mes tyre që ka përfunduar me shkrehjen e armës. Të gjitha saçmat kanë shpërthyer nga një distancë jo më shumë se 3-4 metra dhe 16-vjeçari Hyka ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ekspertët e policisë, sapo janë sinjalizuar për ngjarjen e rëndë, kanë mbërritur në vendngjarje dhe pas këqyrjes të vendit dhe rrethanave të ngjarjes e kanë konsideruar vdekjen e adoleshentit si aksidentale. Ndërkohë, 15-vjeçari K.Drangaj është larguar nga frika e dënimit dhe policia është vënë në kërkim të tij. I mituri është gjetur rreth orës 18:30 tek disa të afërm në fshat. Mësohet se 15-vjeçari është ndaluar dhe policia është duke hetuar për shkaqet dhe zbardhjen e vdekjes së 16-vjeçarit.