E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen tre autorët e eksplozivit në Lezhë

Autori i Lajmit: red.
Përfundojnë në pranga tre bashkëpunëtorët e vendosjes së tre kilogramëve tritol në afërsi të një lokali në Lezhë. Burime nga policia bënë të ditur se janë arrestuar Altin Noga, 33 vjeç, Elton Malaj, 19 vjeç dhe 16-vjeçari me inicialet E.G. Grupi i hetimit ka marrë dëshmitë e tre atentatorëve, por për shkak të hetimit ka preferuar të ruajë si sekret hetimor detajet. Dështimi i atentatit ka qenë koordinata e gabuar e vendosjes së çantës me eksploziv, ndërsa pista kryesore e hetimit është ajo e konkurrencës në biznes, megjithëse Eduart Cini ka mohuar të kishte konflikte. Policia shoqëroi 20 persona, të cilët më pas u lanë të lirë.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të së dielës, kur Eduart Cini ka shkuar si çdo ditë në ambientin e marrë me qira prej tij, që e kishte kthyer në bar-restorant. Ka hyrë brenda territorit dhe ka vënë re një çantë ngjyrë blu, e cila ishte e vendosur pranë kangjellave të jashtme. "Mendova se çanta i përkiste ndonjë punëtori pranë objektit që administroj dhe nuk më shkoi mendja për keq. Hapa lokalin dhe vazhdova punën normalisht",- ka rrëfyer Cini për grupin hetimor. Të gjithë punëtorët, të cilët kalonin aty janë pyetur nga pronari nëse çanta i përkiste ndonjërit prej tyre, por ata e kanë mohuar pronësinë, duke shtuar më tepër misterin. Më pas njëri prej punëtorëve i është afruar duke e ka hapur me kureshtje. Sapo ka zbërthyer zinxhirin e çantës, ai ka konstatuar lëndën plasëse të tipit tritol, e cila ishte e paketuar dhe sipër saj ishte i vendosur një telefon celular. Punëtori ka lajmëruar menjëherë policinë e Lezhës, e cila më pas thirri në ndihmë dhe forcat RENEA, për çaktivizimin e lëndës plasëse.
Çaktivizimi
Duke iu referuar deklarimeve të punëtorit, policia e mbërritur në vendngjarje ka bërë menjëherë evakuimin e zonës, ndërsa ka bllokuar të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse për të rritur sigurinë e qytetarëve. Pasi është bërë rrethimi i zonës, ekspertët kanë ekzaminuar lëndën e vendosur brenda një çante shpine, e cila ka rezultuar të jetë tritol. Është dashur mbërritja e ekspertëve nga Tirana dhe atyre antiminë për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Policia bëri të ditur se rreth orës 10:30 është kërkuar bllokimi i valëve telefonike nga tre kompanitë celulare që operojnë në vend, me qëllim që në momentin e çaktivizimit të mos kishte shpërthim. Rreth orës 11:00 ekspertët kanë bërë të mundur eliminimin e sasisë së tritolit, ndërsa lënda është marrë për ekzaminime të mëtejshme.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›