E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre grabitës me maska sulmojnë lojërat e fatit

Autori i Lajmit: red.
Tre persona të maskuar kanë shkaktuar panik në një kazino në plazhin e Durrësit, kur hynë dhunshëm dhe masakruan punonjësit duke grabitur një shumë të hollash. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja ndodhi dje orën 02.00 të mëngjesit, në sektorin “Hekurudha të plazhit të Durrësit në lagjen nr 13, te lokali i lojërave të fatit. Sipas të njëjtave burime, tre personat e maskuar, kanë hyrë në ambientet e brendshme duke bërtitur me zë të lartë dhe fyer arkëtarin 23-vjeçar Admir K., si dhe punonjësin 30- vjeçar të sigurisë Florian M. Referuar dëshmisë së të dëmtuarve, policia tha se Floriani është goditur prej tyre me grushte që në momentin që tre personat e maskuar kanë hyrë në lokal. Ndërsa Admiri 23-vjeçar, i frikësuar është fshehur prapa makinerive. Njëri prej tre maskave, është afruar te banaku dhe ka marrë në sirtarin ku mbaheshin lekët, një shumë prej 80 mijë lekësh dhe më pas janë larguar. Policia tha se as dëshmitarët nuk ishin të qartë nëse tre personat e maskuar kishin armë me vete në momentet e grabitjes së denoncuar. Sipas kallëzimit të bërë, në momentin që ka ndodhur ngjarja, në lokal nuk ka pasur asnjë klient përveç dy punonjësve që kryen denoncimin. Policia tha se kanë nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›