E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen tutorët e gjimnazistes

Policia e Fierit prangosi dje dy persona që shfrytëzonin për prostitucion një gjimnaziste 16-vjeçare.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Në operacionin e koduar “Inxhinieri”, janë arrestuar Endri Manaj, 25 vjeç dhe Shefqet Kasa, 57 vjeç, të dy nga qyteti i Fierit. Mësohet se arrestimi i tyre ka ardhur pasi prej një muaji shfrytëzonin për qëllime prostitucioni adoleshenten me iniciale R.K., banuese në këtë qytet. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se, dy të arrestuarit kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike mbi 16–vjeçaren duke e detyruar atë të prostituojë. Të njëjtat burime kanë pohuar se, 25-vjeçari Manaj ka qenë ish i dashur i të miturës prej pak kohësh. Gjatë lidhjes ai i kishte premtuar asaj një marrëdhënie serioze. Por 1 muaj më parë, historia ndryshoi. Në bashkëpunim me 57-vjeçarin Kasa, sipas policisë, i riu e ka detyruar të dashurën të prostituojë, duke u kthyer kështu në tutorë të saj. Bëhet e ditur se, dy të arrestuarit përdornin banesat e tyre si vend të shfrytëzimit, ndërsa ishin po ata që siguronin edhe klientët për të miturën. Gjithë të ardhurat nga ky aktivitet i jashtëligjshëm shkonin në xhepat e dy tutorëve. Ndërkohë familjarët e të miturës tregojnë se, vajza ishte një tip tepër i mbyllur dhe shkonte rregullisht në shkollë. Ata kishin vënë re një çrregullim në oraret e vajtjes në shtëpi të 16-vjeçares, por ajo e justifikonte një fakt të tillë se shkonte për të mësuar pasditeve deri vonë në shtëpinë e një shoqeje të saj. Kjo ka mjaftuar që familjarët të mos konstatonin se çfarë po i ndodhte realisht vajzës së tyre. Manaj dhe Kasa ata e kishin kërcënuar të miturën se nëse tregonte në familje, atë do ta prisnin pasoja të tjera akoma më të rënda. Por pas një muaji, vajza nuk ka duruar më, duke treguar në familje dhe më pas edhe përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore për atë që po i ndodhte. Kjo ka vënë në lëvizje policinë e Fierit, të cilët pas dy ditë hetimesh kanë arrestuar shfrytëzuesit e saj me akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Sipas policisë, ata kanë pasur edhe precedentë të tjerë penalë. Endri Manaj ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të “mbajtjes së lëndëve narkotike”, ndërsa Shefqet Kasa ka qenë tre herë i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes së solarit.

Ngjarja e Libofshës
Vazhdon puna për zbardhjen e largimit nga shtëpia të 15-vjeçares Xh.Agolli, nga fshati Libofshë tri ditë më parë. Edhe pse nga policia është hedhur poshtë pista e rrëmbimit, pasi 15-vjeçarja ka marrë me vete disa sende personale, fakti që ajo është e mitur ka bërë që uniformat blu të vihen në lëvizje për lokalizimin e vendndodhjes së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›