Arrestohet 21-vjeçari, akuzohet për disa vjedhje në kryeqytet
Tiranë – Një 21-vjeçar duhet të përgjigjet tashmë për vjedhjen e disa banesave në kryeqytet. Burime policore thanë për gazetën se dje specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera, në bashkëpunim me forcat policore të Komisariatit Nr. 2 dhe Komisariatit të Peshkopisë, kryen ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj shtetasit Ditar Çerjani, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Rashnapaj Dibër, i dënuar disa herë për vjedhje. Në ngarkim të tij është bërë i mundur dokumentimi i plotë i 8 vjedhjeve të banesave të realizuara në një hark kohor prej 1 muaji në kryeqytet. Çerjani ka kryer disa vjedhje te Fusha e Aviacionit, në rrugët; “Jordan Misja”, “Babë Rexha”, “Myslym Keta” dhe “Ali Visha”. Po ashtu mbi të rëndon edhe vjedhja e 20 mijë lekëve e realizuar katër ditë më parë në banesën e një shtetasi në Kamzë. Uniformat blu po vazhdojnë punën për dokumentimin ligjor të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Tiranës ku dyshohet se autor të jetë po ky shtetas, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Tiranë.
Kaminat gëlqerore, Prokuroria vë në hetim 10 persona për “ndotje të ajrit”
Tiranë - Prokuroria e rrethit Gjyqësor Krujë ka nisur hetimet ndaj disa subjekteve të cilat kanë ngritur kamina gëlqerore në këtë rreth dhe që me aktivitetin e tyre kanë shkaktuar ndotje të lartë të ajrit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur dje për gazetën se procedimet penale janë iniciuar nga prokuroria e rrethit Krujë pas konstatimeve se subjekte të caktuara ushtronin aktivitet pa dokumentacionin e duhur ligjor, duke shkaktuar ndotje të ambientit. Sipas të dhënave hetimore, gjatë verifikimeve në terren hetuesit kanë konstatuar se në këto kamina (gropa) gëlqerore përdoreshin për lëndë djegëse edhe materiale si goma të përdorura, sfungjerë, mbetje plastike etj., të cilat shkaktojnë një ndotje të ajrit nëpërmjet shkarkimit në të blozës dhe gazrave helmuese. Si rrjedhim i përdorimit të materialeve të tilla ndotja rezulton të jete disa herë tej normave të lejuara nga legjislacioni mjedisor. Burimet e mësipërme sqaruan se lidhur me këto procedime penale nga ana e prokurorisë janë kryer një sërë veprimesh hetimore si këqyrje e vendit të ngjarjes, e shoqëruar me tabelën fotografike, si dhe sekuestrim i lëndëve djegëse të përdorura dhe të ndaluara nga legjislacioni mjedisor shqiptar. Ndërkohë, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Krujë një numër i konsiderueshëm personash, ndërmjet të cilëve disponuesit e dhjetë kaminave gëlqerore, shtetasit Faik Vogli, Kujtim Baruni, Lutfi Stafa, Astrit Pelivani, Shkëlqim Skoti, Hasan Leka, Luan Patulli, Faik Xhepi, Bujar Babasi si dhe Arjan Topçiu. Këta persona janë marrë nën hetim për kryerjen e veprës penale të “ndotjes së ajrit”. Bëhet e ditur gjithashtu se matjet lidhur me nivelin e ndotjes se ajrit janë kryer nga ekspertët e Institutit të Higjienës në Tiranë.
5 Shtator 2008