Gjeti armë dhe municione në banesën e tij, njoftoi policinë
Tiranë – Armë dhe municion ka gjetur një banor i Rrugës së Barrikadave teksa po punonte për riparimin e rrjeti të ujit në papafingon e tij. Uniformat blu kanë mbërritur në banesën e shtetasit dhe janë çuditur kur atje kanë parë 3 pushkë model 56, dy arka me fishekë model 56 dhe 2 granata mbrojtëse në gjendje të armatosur, të cilat u morën për asgjësim nga eksperti antieksploziv. Nga veprimet e para hetimore dhe deklarimi i shtetasit të mësipërm mendohet se armët dhe municioni i përkasin babait të tij, shtetasit Feim Hoxha, i cili ka vdekur në vitin 2003. Pas kryerjes së veprimeve hetimore e procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia ndalon dy të mitur, u kapën në flagrancë duke vjedhur një veturë
Tiranë – Dy të mitur do të hetohen në liri pasi akuzohen për vjedhje të një veture. Burimet thanë për gazetën se specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Automjeteve kapën dhe më pas arrestuan në flagrancë shtetasin e mitur Xh. Q., 14 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi në orën 12:00, në bashkëpunim me shtetasin tjetër të mitur M. C. 11 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, kanë vjedhur në rrugën “Siri Kodra”, mjetin tip “Ford Fiesta”, me targa TR 4223 G, pronë e një shtetasi, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe u sekuestrua mjeti i lartpërmendur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Vodhi gjeneratorin, policia e arreston pak ditë pas ngjarjes
Tiranë - Pas kallëzimit në polici të një shtetasi me banim në Kasallë për vjedhjen e një gjeneratori për prodhimin e energjisë në shtëpinë e tij uniformat blu janë vënë në lëvizje. Agjentët e policisë e konstatuan gjeneratorin e vjedhur pranë një pike shitje gazi dhe nga pyetja e pronarëve të rinj rezultoi se autor i vjedhjes ishte shtetasi P. M, 15 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në fshatin Kasallë Tiranë. I sipërpërmenduri do të ndiqet në gjendje të lirë dhe po punohet për arrestimin e një tjetër shtetasi me të cilin dyshohet se P. M., ka kryer këtë vepër penale, por emri nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.
Pranga 25-vjeçares nga Kosova, ishte në kërkim për ushtrim prostitucioni
Tiranë – Policia ka arrestuar dje një 25-vjeçare nga Kosova me akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Burimet thanë për gazetën se specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit zbatuan urdhrin e Prokurorisë për shtetasen e shpallur në kërkim Sadete Harizaj, 25 vjeç, lindur dhe banuese në komunën Drenicë Kosovë. Ndalimi i saj u krye pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin e datës 21.04.2008, e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale të “Ushtrimit të prostitucionit”, parashikuar nga neni 113 i Kodit Penal.
5 Shtator 2008