E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet për abuzime, akuza mes misionarëve amerikanë



W. D. Swope

Në gazetën “The Times” të datës 14 dhjetor lexova një letër të nënshkruar nga C. Teleford Erikson, i cili kërkonte ndihmë për disa punë filantropike (bamirësie) në Shqipëri. Ky ishte mbështetur nga një letër e nënshkruar nga Majkëll Pupin. Këto letra ishin të një rëndësie të veçantë për mua, pasi kam pasur lidhje me shkollën e dr. Eriksonit në Kavajë, në Shqipëri, për një periudhë 1-vjeçare dhe jam i mirinformuar mbi kushtet e bujqësisë në atë zonë të Shqipërisë.
Dr. Eriksoni e kishte hapur letrën e tij në këtë mënyrë: “Shqipëria po përballet edhe një herë me urinë periodike”.
Dyshimet për urinë
Në momentin që e lexova një gjë të tillë dyshova për këtë deklaratë, pasi kam lajme të drejtpërdrejta nga Shqipëria dhe nuk kam dëgjuar asgjë lidhur me urinë. Gjatë ditëve të fundit kam biseduar me një të ri shqiptar, i cili është aktualisht student në këtë vend. Me sa di unë, ky njeri ka punuar verën e kaluar me një makineri shirëse pak kilometra larg shkollës së dr. Eriksonit. Unë e pyeta atë lidhur me problemet e urisë, të cilat janë raportuar përmes mediave. Ai u përgjigj se fermerët shqiptarë ishin shprehur se këtë vit prodhimi i drithërave ishte më i mirë se ato që kishin marrë përgjatë tre viteve të fundit dhe se misri për nga cilësia ishte më i mirë sesa ai i vitit të kaluar. Ai theksoi se në vjeshtën e vitit 1927 drithi ishte dërguar në një rreth në Veri të Shqipërisë, ku banorët kishin dështuar me prodhimet e tyre. Unë kam qenë personalisht në Shqipëri gjatë sezonit të drithërave, në vitin 1927. Një numër fushash, të mbjella me drithëra të vonshme, afër qytetit të Kavajës, kishin dështuar në prodhim; ndërkohë që drithërat e hershme kishin rezultuar me një prodhim të kënaqshëm. Unë nuk pashë asgjë që t’i afrohej deri diku kushteve të një situate urie.
Dr. Eriksoni vazhdoi më tej se “kurrë nuk është arritur një mbiprodhim i produkteve bujqësore, gjë që e bën të pashmangshme urinë në këtë vend”.
Prodhimi bujqësor
Realisht ekziston pak mbiprodhim, megjithëse është mjaft i vogël krahasuar me atë që vendi është në gjendje të prodhojë. Gruri, elbi, drithërat dhe produktet e tjera eksportohen.
Gjatë komenteve të tij, profesor Pupin përmend edhe Malin e Zi, krahas Shqipërisë. Ai shkruan: “Drithërat janë i vetmi prodhim që këta njerëz mund të kultivojnë në atë vend malor. Nuk ka asnjë mundësi që në këtë vend të kultivohet gruri, elbi dhe thekra”. Kjo është e vërtetë jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për vendet malore të Shqipërisë, por kjo nuk është e vërtetë për gjithë Shqipërinë. Në luginat dhe fushat e Shqipërisë ka më tepër toka të mira, që i janë përshtatur prodhimit të grurit, elbit dhe thekrës. Gruri dhe elbi janë drithëra relativisht të rëndësishme. Në zonat pa sistem vaditës, gruri, elbi dhe thekra që mbillen gjatë vjeshtës janë kultura bujqësore më të mira sesa drithërat e tjera.
Dyshime për abuzime
Ashtu siç shkruan edhe dr. Eriksoni, është e vërtetë se një buxhet prej 1500 dollarësh në muaj është plotësisht i pamjaftueshëm për shkollën e tij. Është gjithashtu e vërtetë, edhe pse dr. Eriksoni nuk i ka kushtuar shumë vëmendje kësaj çështjeje, se disa prej parave të siguruara nga Amerika për shkollën e tij janë shpenzuar për gjëra të panevojshme. Ndërkohë që unë mbajta kontakte me shkollën e tij, në një kohë kur asaj i mungonin të gjitha pajisjet e nevojshme; edhe kur nuk kishte gjithmonë ushqime të mjaftueshme për të ngrënë dhe dr. Eriksoni bleu një makinë për shkollën, një piano dhe një bandë me 30 instrumente.
Duke qenë se ekziston rreziku që amerikanët të ngatërrojnë shkollën e dr. Eriksonit në Kavajë me shkollat në Tiranë, të menaxhuara nga Kryqi i Kuq Amerikan, është me vend që të përmendim se Kryqi i Kuq ka një shkollë të shkëlqyer, e cila po bën shumë për zhvillimin e Shqipërisë.

Letra i është drejtuar botuesit të “The New York Times”-it dhe është botuar më 7 janar 1929
Titulli është redaksional

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›